LAJMET E MBRËMJES

Për të ndaluar kopjimet në Provimin e Maturës kërkohet mbikëqyrja me kamera

Kopjimi i maturantëve në Provimin e Maturës Shtetërore është problem sistematik i cili inkurajohet nga mbikëqyrësit dhe administratorët, kanë thënë në organizatën “ETEA” gjatë prezantimit të një raporti analitik mbi këtë provim. Në këtë organizatë thanë se rezultatet e provimit krijojnë një besim të gabuar mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve. Kërkuan ndryshim të ligjit të maturës dhe mbikëqyrje me kamera të këtij procesi

Ndryshimi i Ligjit për Provimin e Maturës dhe mbikëqyrja me kamera e këtij testi është kërkuar nga organizata e arsimit “ETEA”, gjatë prezantimit të raportit analitik mbi këtë provim. 

Drejtori i kësaj organizate, Agon Ahmeti, teksa ka prezantuar gjetjet e raportit, tha se vetë administratorët dhe studentët mbikëqyrës lejojnë keqpërdorime gjatë testit. 

“E para ka të bëjë me kopjimin dhe manipulimet në provimet e maturës, i cili është një problem sistematik i nxitur kryesisht nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve dhe mbikëqyrësve që janë përgjegjës në mbarëvajtjen e procesit të punës në kuadër të provimit të maturës dhe arsye e dytë është frika nga dështimi dhe pritshmëritë e larta nga të afërmit”, ka thënë Ahmeti. 

Sipas Ahmetit, rezultatet e provimit krijojnë një besim të gabuar mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve.
“Nota mesatare e nxënësve barazohet në përqindje me rezultatet e provimit. Kjo minimizon rëndësinë e vlerësimeve gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme të bëra nga mësimdhënësit gjatë tri viteve. Provimi i Maturës, i cili zgjat 2 orë e 30 minuta, nuk mund të kapë plotësisht thellësinë dhe gjerësinë e aftësive, njohurive të nxënësve. Rezultatet e provimit në masë të madhe krijojnë një besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve”, ka thënë Ahmeti. 

Ai e ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mungesë masash ndaj shkelësve të rregullave të testimit.
“Raportet e Ministrisë së Arsimit rrallëherë përmbajnë informacione mbi ndëshkimet e personave përgjegjës për shkelje të rregullave të provimit duke nxit dyshime mbi seriozitetin dhe efektivitetin e masave të marra... Nga gjetjet e organizatës ETEA del që prej vitit 2006 kur ka filluar të organizohet ky provim janë jo më shumë se 16 persona të ndëshkuar sipas ligjit të Provimit të Maturës Shtetërore dhe të gjithë këta 16 persona janë të ndëshkuar me pragun minimal që i bie me 300 euro pagesë, ndërsa ligji parasheh ndëshkime tremijë deri në pesëmijë euro”, ka thënë Ahmeti.

E hulumtuesja Bleona Kurteshi tha se ligji për Provimin e Maturës Shtetërore duhet të rishikohet. Sipas saj, krahas lejimit të përdorimit të kamerave në klasat ku mbahet testi, nëpërmjet ndryshimeve duhet ashpërsuar masat ndaj shkelësve.

“Ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të përfshihet teknologjia në procesin e mbikëqyrjes së Provimit të Maturës, pra përdorimin e kamerave, detektorëve për pajisje elektronike... Po ashtu konsiderojmë se Ligji për Provimin e Maturës duhet të rishikohet, me theks të veçantë ashpërsimi i masave ndëshkimore ndaj administratorëve dhe personave përgjegjës siç u tha edhe më herët përfshihen dhe inkurajojnë nxënësit duke i lejuar që ata të kopjojnë”, ka thënë Kurteshi.

Testit të Maturës Shtetërore në afatin e parë i janë nënshtruar 18 mijë nxënës të klasave të 12-ta. Atë e kanë kaluar mbi 13 mijë nxënës apo 73.3 për qind. Procesi është kritikuar, meqë gjatë testimit pyetjet u shpërndanë në rrjete sociale.