LAJMET E MBRËMJES

Për një vit, një e mitur i është nënshtruar abuzimit seksual

Përgjatë një viti një e mitur i është nënshtruar disa herë abuzimit seksual nga një 58-vjeçar. Policia e ka arrestuar të dyshuarin, të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh

Një e mitur dyshohet se përgjatë një viti i është nënshtruar abuzimit seksual nga 58-vjeçari me inicialet J.G. 

Ai është arrestuar më 5 prill, ndërsa Policia e ka bërë të ditur lajmin të martën. 

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë, i publikuar të martën.

E, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë treguan se e mitura disa here përgjatë një viti i është nënshtruar dhunimit.

“Prokurori kujdestar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’, bazuar nga neni 227 par.8 lidhur me par.7., lidhur me par.4, nënpar.4.7, lidhur me par.1 lidhur me nenin 77 par.1 nënpar.1.1, 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të pandehurit J.G., ka filluar hetimin pasi që viktima e mitur është abuzuar seksualisht nga i pandehuri J.G., i cili e kishte dhunuar disa herë për periudhë kohore rreth një (1) viti”, ka bërë të ditur Prokuroria në një përgjigje për KOHËN.

Organi i akuzës bëri të ditur edhe veprimet e ndërmarra, pas arrestimit të të dyshuarit.

“Prokurori i çështjes kundër të pandehurit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe e mitura është dërguar në ekzaminimin gjinekologjik”, thuhet në përgjigje.

E, Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e prokurorisë dhe ka arsyetuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit.

“Nëse i pandehuri J.G. lihet në liri, ekziston rreziku se i njëjti mund të pengojë rrjedhën e zhvillimit të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, mund të ndikojë dhe pengojë hetimin në të dëmtuarën e mitur, gjithashtu gjykata vlerëson se nëse i pandehuri gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij. Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal”, ka bërë të ditur Gjykata, nëpërmjet një njoftimi.

Muajin e shkuar u arrestuan disa persona për dhunim të të miturave. Për njërën prej viktimave ishte rasti i katërt i denoncuar në polici, që nga 2022-ta.