LAJMET E MBRËMJES

Për kalkulim borxhi, ekspertët morën dokumente në Dardafon por jo edhe në Telekom

Përfaqësues të Telekomit edhe në seancën gjyqësore të së martës kanë kërkuar që Gjykata t’ia njohë si kompensim dhënien e numrave dhe shërbimeve telefonike kompanisë Dardafon, për operatorin privat Z-Mobile. Edhe këtë herë, kërkesa u refuzua nga gjyqtari. E ekspertët financiarë të angazhuar për të kalkuluar borxhin e ndërsjellë kanë thënë që kanë kërkuar dhe pranuar dokumente drejtpërdrejt nga Dardafoni por jo edhe nga Telekomi

Në rastin gjyqësor me kompaninë Dardafon, përfaqësuesi ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj, ka kërkuar të martën që Gjykata të shfuqizojë aktvendimin e para disa javëve, me të cilin ka refuzuar kërkesën e ndërmarrjes publike për përfshirjen e shërbimeve 3G dhe 4G në plotësim-ekspertizë, si kompensim ndaj Z-Mobile.

Kontesti mes kompanive telefonike rrjedh nga marrëveshja e vitit 2017 për ekzekutimin e një vendimi final të arbitrazhit. 

Përfaqësues të Telekomit pretendojnë që si shpagim për borxhin ndaj Dardafonit, i kanë dhënë kësaj kompanie në shfrytëzim numra dhe shërbime telefonike, të cilat, sipas tyre, nuk po përfshihen në kalkulim. 

Kërkesa u shtrua pas një përmbledhjeje kronologjike për përballjen gjyqësore mes dy kompanive telefonike, që nga vendimi i arbitrazhit.

“Jo nga kjo Gjykatë dhe as nga gjyqtari i rastit, por nga askush nuk mund të mënjanohen lehtësisht këto pagesa dhe kompensime siç po tentohet në këtë procedurë”, ka thënë Durim Ahmetaj, përfaqësues ligjor i Telekomit.

Relevancën e kërkesës dhe përmbledhjes e kontestoi përfaqësuesi i Dardafonit, Alban Makolli. 
Edhe gjyqtari Dren Rogova sërish e hodhi poshtë kërkesën e Telekomit. 

Pas kësaj, përfaqësuesi financiar i Telekomit, Feim Kelmendi, shtroi një sërë pyetjesh e vërejtjesh drejtuar ekspertëve financiarë. 

Kelmendi e pyeti ekspertin Bashkim Uka se a janë marrë dokumente nga Telekomi për të bërë llogarinë mbi borxhin e ndërsjellë. Eksperti Uka mohoi të ketë marrë dokumente nga ndërmarrja publike, por tha se ka pasur takime me përfaqësues të saj. Ai tha se të gjitha materialet janë marrë nga shkresat e lëndës. Por më pas pranoi që është shërbyer me dokumente edhe nga Dardafoni.

“A keni marrë të dhëna dhe a keni kërkuar verifikimin e të dhënave nga pala kreditore?”, ka pyetur Kelmendi.

“Gjithashtu edhe me kreditorin kemi pasur takim dhe nga të njëjtit kemi kërkuar dhe na kanë dërguar tabelën për llogaritjen e interesit”, është përgjigjur eksperti Uka.

Në seancën e shkuar, përfaqësuesit e Telekomit kanë kërkuar përjashtimin e ekspertëve financiarë, por edhe të gjyqtarit Dren Rogova nga kjo çështje. Të dy kërkesat janë refuzuar.
Llogaritë bankare të Telekomit janë të bllokuara që nga fundi i muajit shkurt, e prej atëherë rreth 1.700 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk i kanë marrë pagat.