LAJMET E MBRËMJES

Për 5 orë rruga “Dëshmorët e kombit” u mbyll për qarkullimin e automjeteve

Për pesë orë rruga “Dëshmorët e kombit” në Prishtinë ka qenë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare pa Makina. Gjatë mbylljes Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit, Infrastrukturës e Planifikimit Hapësinor ka organizuar aktivitete të ndryshme në pjesën e mbyllur të rrugës. Por veprimi u përcoll me shqetësimet e shprehura nga qytetarët për bllokimin e rrugëve

Ora 10 e mëngjesit e gjeti rrugën “Dëshmorët e kombit” në kryeqytet pa automjete, pasi Komuna e Prishtinës vendosi që ta mbyllte atë deri në orën 3 të pasdites, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare pa Makina.

Në vend të automjeteve, në këtë rrugë u lejua të qarkullonin vetëm qytetarë me biçikleta, me trotinete e këmbësorët, ndërsa në një bashkëpunim midis Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Mjedisit aty u organizuan aktivitete të ndryshme.

Por, vendimi u prit me shqetësim nga disa qytetarë.

“Mua për vete nuk po më pëlqen, ky është bllokim i komunikacionit. Ne kemi nevoja për rrugë të reja. Unë kisha preferuar që kryetari të interesohet që të hapë ndonjë rrugë të re dhe jo vetëm këto që janë të mundohet t’i mbyllë”, u shpreh qytetari Nezim Sadiku.

E qytetari Hamdi Podvorica ka thënë se do të donte që çështjet e infrastrukturës të rregullohen më shpejt dhe shumë më mirë sesa që janë rregulluar deri më tani”.

Por i mendimit ndryshe u shpreh kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, Pëllumb Bajçinovci. Ai bëri thirrje që biçikletat të shndërrohen në formë më të shpeshtë të transportit për eliminimin e veturave.

“Nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet. Kryeqytetit përkundër vështirësive që i ka me rritjen e banorëve edhe përkundër asaj se biçikleta përpara ka qenë një mjet i cili më shumë është shfrytëzuat për rekreacion. Kemi filluar me vetëdijesim qe disa vite në promovimin e biçikletës si formë e transportit”, është shprehur Bajçinovci.

I të njëjtit qëndrim u shpreh edhe Berat Rakovica nga organizata joqeveritare “Maraklit’bicklave”.

“Krejt çka kisha pasë dëshirë unë, si përfaqësues i komunitetit të çiklistëve Maraklit’biciklave, është që kjo ditë mos m’u shënua vetëm një herë në vit, mos me pasë nevojë me i mbyll rrugët, por me i shfrytëzua ato së bashku me makinat”, tha Rakovica.

Krahas automjeteve, në këtë rrugë është ndaluar edhe qarkullimi i autobusëve të “Trafikut Urban”, që e bën riorientimin e linjave. E pjesëtarët e Policisë u panë duke lëvizur me biçikleta.

“Dëshmorët e kombit” u mbyll të premten për disa orë, por në planet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, është vazhdimi i sheshit “Xhorxh Bush”, përgjatë kësaj rruge, e deri te “Rrethi i flamurit”.