20 deri në 60 euro më shumë do të marrin këtë muaj një numër i madh i pensionistëve. Të hënën, kryeministri Albin Kurti e ministri Hekuran Murati, shpalosën vendimin për rritjen e pensioneve për 20 për qind, derisa nga janari i vitit të ardhshëm pensioni, sipas tyre, do të rritet edhe për kategoritë e dala nga lufta
Katër muaj para zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës ka rritur pensionet për 20 për qind për një grup kategorish.
Në një konferencë për media, të hënën, kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaruan se cilat kategori do të përfitojnë nga kjo rritje, e cila në shumë përkthehet nga 20 deri në rreth 60 euro.
“Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon: pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për persona të verbër, pensioni për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës edhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, tha Murati.
Rritje të pensionit, nga janari i vitit të ardhshëm, Kurti premtoi se do të ketë edhe për kategoritë e luftës.
“Te këto kategori për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50 për qind pensionin bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur tjetër që ka familja e jo të rritet me nga 20 për qind apo 10 për qind siç ka qenë deri më tani”, tha Kurti.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, rritja e pensioneve do të prekë 304 mijë e 16 persona, në vlerë prej 100 milionë eurosh në vit.
“Falë politikave te mirë menduara përgjatë viteve të fundit dhe rritjes së të hyrave që na ka mundësu me zgjeru hapësirën fiskale e kemi pasur të mundur që të ndërmarrim edhe këtë veprim dhe çdo herë duke pasur parasysh që jemi me program të FMN-së dhe jo çdoherë negociatat me ta janë të lehta”, tha Murati.
Përveç për pensionet, kryeministri Kurti, për vitin tjetër, premtoi kompletimin e reformës pensionale, për të cilën tha se kontributdhënësit do të kenë trajtim përkatës.