LAJMET E MBRËMJES

Peci i quan kriminelë e horra opozitarët pasi kërkuan shkarkimin e tij

Ministri Faton Peci ne konference per media pas mbledhjes se Qeverise

Foto: Arkiv

Foto: Alban Bujari

PDK-ja ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe të Faton Pecit nga posti i ministrit të Bujqësisë. Kjo parti ka kërkuar nisjen e hetimeve penale për të verifikuar nëse Peci ka ndikuar që vëllai i deputetes së pushtetit të përfitojë rreth 100 mijë euro grant. E ministri Peci ka paralajmëruar se nga tani e tutje nuk do ta kursejë gjuhën e tij duke e quajtur PDK-në kriminele

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të dielën që institucionet e drejtësisë të fillojnë hetimet ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas dyshimeve për montim dhe orkestrim të një granti për fermerë.

Para dy ditësh, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, ka hedhur akuza ndaj Pecit dhe Fitore Pacollit, se kanë ndikuar që Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, të fitojë një grant në vlerë rreth 100 mijë euro. Zyrtari i LDK-së ka thënë se biznesi që përfitoi është regjistruar vetëm katër ditë më parë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Në një konferencë për media, të dielën, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka kërkuar shkarkimin e tyre.

“Të hetohet nëse ky përfitim është rezultat i vartësisë zyrtare që ministri i Bujqësisë e ka në raport me kryetaren e Komisionit Parlamentar për Bujqësi. Zyrtarët më të lartë të shtetit, për fitimin e këtij projekti nga vëllai i deputetes Pacolli po e mbrojnë dhe arsyetojnë me arrogancë por po heshtin për refuzimin e përkrahjes së aplikimit të zonjës Fahrije Hoti që është njëra prej heroinave të Krushës”, ka thënë Mustafa.

Pas konferencës së PDK-së, ka reaguar ministri Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai i ka quajtur kriminelë zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së.

“Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal saqë vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instilacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaq pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka thënë Peci.

Pacolli i LDK-së, i cili është sekretar i Forumit Rinor të kësaj partie, ka thënë se ministri Peci duhet të fokusohet në llogaridhënie për procesin e dhënies së grantit.

“Çka s’nin njeri, veç nën qeverisjen e Vetëvendosjes, kriminelë janë ata që e bëjnë publik krimin që e kanë ba ata! Qetësohuni moreee! Ministër Faton Peci, të kisha sugjeru me u qetësu e mos me eskalu në gjuhë fyese e sharëse! Paratë e dhëna për vëllain e Fitore Pacollit e këshilltarin tënd, janë të shtetit jo të xhepit tuaj, prandaj duhesh me dhanë llogari, ama me qetësi!”, ka shkruar zyrtari i LDK-së.

Të shtunën deputetja Pacolli ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj mediave që kanë publikuar lajmin për grant.

“Të gjithë ju gazetarë e analista ‘profesionalë’ që keni lakuar emrin tim do të shihemi në gjykatë për shpifjet dhe akuzat pa bazë”, ka shkruar ajo.

E vëllai i saj, përmes një postimi në Faceebok, mohoi akuzat, duke thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar grantin. Pacolli ka thënë se ka një kohë të gjatë që merret me bujqësi dhe blegtori, por që biznesin e tij nuk e ka pasur të regjistruar si veprimtari.

“Si fermer nuk kam pasur biznes të regjistruar, siç nuk kanë shumica e fermerëve. Të kesh biznes të regjistruar para se të aplikosh për grant nuk është kriter. Mirëpo, në momentin kur e fiton grantin, duhet patjetër të regjistrohet biznesi pasi që kontrata duhet të bëhet ndërmjet Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe biznesit (personit juridik) e jo fizik. Të gjithë ata që kanë pak njohuri rreth granteve e dinë që fillimisht kërkohet që të plotësohen kushtet e aplikimit, pastaj nëse e fiton grantin kërkohet regjistrimi i biznesit dhe në fund nënshkrimi i kontratës”, ka thënë ai.

Fitore Pacolli është kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.