LAJMET E MBRËMJES

PDK konteston 20 ligje, LVV-ja thotë se po i brengos Byroja

Ligjet që u miratuan në procedurë të shpejtë të enjten në Kuvend pritet t’i nënshtrohen filtrit kushtetues. Partia Demokratike ka paralajmëruar se të 20 ligjet do t’i kontestojë në Gjykatë. E, në Lëvizjen Vetëvendosje thanë se kjo po bëhet nga frika që opozitarët kanë nga Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Përmbajtjen e 20 ligjeve veç e veç, subjekti kryesor politik në opozitë do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese të premten.

Nga kjo gjykatë, Partia Demokratike pret që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e të gjitha ligjeve që deputetët e pushtetit i miratuan pa opozitën, brenda një dite të vetme e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, kontestimi i të gjitha ligjeve po bëhet për një ligj të vetëm, atë për Byronë, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Ata hallin e kanë te ky ligj, e kanë hallin te verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, ndërkohë që po përpiqen ta maskojnë e kamuflojnë dërgimin e këtij ligji për të dytën herë”, i ka thënë KOHËS Rrustemi.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas paralajmërimit nga PDK-ja. 

“Ata tashmë kanë tregu çka i brengos, Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Ndërsa paralajmërimi për dërgimin e tërë seancës në Kushtetuese është farsë për të mbuluar qëllimin e tyre të vërtetë, pengimin e themelimit të Byrosë. Sikur të kishin pasur me të vërtetë interesim për demokraci dhe procedura, kishin qëndruar në seancë dhe do të ishin mundu me kontribuar aty. Por, në pamundësi të ndalimit të punës së Kuvendit, po mundohen me mekanizmat e gjykatës me krijuar pengesa të reja. Por të kotë e kanë, të njëjtën e kanë provuar edhe më parë dhe nuk kanë pasur sukses.  Fatkeqësisht për demokracinë tonë, destruktiviteti ka qenë parim udhëheqës i tyre në këtë mandat”, ka thënë Kusari-Lila. 

Në PDK konstatuan se me seancën e së enjtes të javës së shkuar u abuzua me procedurat parlamentare dhe u cenua funksioni i deputetit.

“Ne jemi të bindur që procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të këtyre ligjeve është kundërkushtetuese dhe jemi duke punuar që të gjitha parashtrimet tona para Gjykatës Kushtetuese, si gjithnjë, të konfirmohen të bazuara, të drejta dhe mbi të gjitha, profesionale”, ka thënë një ditë më parë Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.

Në PDK thanë se vërejtjet për të 20 ligjet do të dorëzohen të premten në Gjykatë, kur edhe sipas Kushtetutës është afati i fundit prej 8 ditësh për ta kontestuar kushtetutshmërinë e çfarëdo akti që nxjerr Kuvendi.

Rrustemi, që është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, thotë se ligjet e miratuara nuk kanë përmbajtje kundërkushtetuese e as bazë që të trajtohen nga Gjykata.

Ai jep një arsyetim se pse i miratuan me shpejtësi.

“Kjo seancë mund të jetë seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë dhe për këtë sesion. Ndërkohë që këto projektligje kanë qenë të rëndësishme siç është: Ligji për Byronë, për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme; Ligji për Sigurimet Shëndetësore; Ligji për banim të përballueshëm dhe disa ligje të tjera që rregullojnë sfera të ndryshme. Prandaj, domethënë ka qenë e domosdoshme”, ka thënë Rrustemi.

Naim Jakaj, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e Kuvendit, e quan të paprecedent veprimin e pushtetit në seancën e së enjtes, dhe thotë se ligjet mund dhe duhet të jenë objekt trajtimi i Gjykatës. 

“Atë shpejtësi nuk e ka parë asnjë Kuvend tjetër në vendet demokratike me sistem të demokracisë parlamentare dhe kushtetuese. Rrjedhimisht, kjo seancë për shkak të parregullsive që kanë ndodhur, të cilat mund të konsiderohen edhe çështje kushtetuese, do të duhej që të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e gjithë asaj seance”, ka thënë Jakaj.

Të enjten që shkoi deputetët e pushtetit miratuan 20 ligje, shumicën e të cilave i trajtuan në të dyja leximet brenda pak orëve.