Në Partinë Demokratike kanë paralajmëruar veprime ligjore kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës, nga 1 prilli. Deputeti i këtij subjekti, Ferat Shala, e quajti vendimin të padrejtë dhe me ndikim edhe në rritjen e çmimeve për produkte të tjera
Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për ta kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës.
ZRRE-ja ka njoftuar ditë më parë se ka propozuar që çmimi i rrymës të shtrenjtohet për 15 për qind, duke nisur nga 1 prilli.
E kjo rritje e çmimit, sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala, do të ndikojë që të dëmtohen rëndë qytetarët dhe bizneset.
“Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktimat e radhës të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Shala.
Ai e ka kritikuar edhe vendimin e ZRRE-së për kalimin e bizneseve me më shumë se 50 punëtorë apo me qarkullim mbi 10 milionë euro në tregun e hapur të energjisë, e për të cilin tha se do të prodhojë pasoja zinxhirore në ekonomi.
“Vendimi i ZRRE-së për të detyruar bizneset paraqitjen në KEDS në tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët e përgjithshëm në nivel vendi”, ka shtuar ai.
Lidhur me këtë, Shala e akuzoi Qeverinë se po e monopolizon tregun e energjisë me qëllim të favorizimit të disa kompanive në sektor. Ai theksoi po ashtu se vendimi nuk e përmban asnjë garanci që e synon mirëqenien e qytetarëve dhe se si tillë mund të konsiderohet i rrezikshëm.
Në ZRRE i patën thënë KOHËS se rritja e importit të rrymës përtej parashikimeve në fundvitin e shkuar do të ketë ndikim në rritjen e tarifave.