LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja mundësoi miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Me konsensus të gjerë pushtet-opozitë, Kuvendi ka arritur të miratojë 12 marrëveshje ndërkombëtare, disa prej të cilave ishin në pritje prej një viti. Ratifikimin e tyre e përcaktoi pjesëmarrja në votim e Partisë Demokratike, e cila prej korrikut të vitit të kaluar është përmbajtur nga votimi i çdo iniciative ligjore në Kuvend.

Ratifikimin e 12 marrëveshjeve ndërkombëtare, disa prej të cilave presin mbi një vit në Kuvend, të enjten e mundësoi përfshirja e Partisë Demokratike në votim.

Në korrikun e vjetëm PDK-ja vendosi të përmbahej nga çfarëdo votimi në Kuvend deri në shpërndarjen e tij. 

Por votimi për marrëveshjet ndërkombëtare u bë tri ditë pas takimit që kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, e pati me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për shpërndarje të Parlamentit.

Nga 13 marrëveshjet sa ishin në rend dite, dështoi të ratifikohej ajo me Mbretërinë e Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve nga gjykatat daneze. Asaj nuk i dhanë mbështetje ligjvënësit e PDK-së.

E për shkak të votave kundër të LDK-së, dështoi të ratifikohej marrëveshja për kredinë e programit për financa publike dhe rritje ekonomike me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Me kërkesë të kësaj partie është shtyrë votimi edhe për marrëveshjen e bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren. 10 marrëveshje të tjera u miratuan me konsensus të gjerë. 

Në mes të mbledhjes, Vetëvendosja mblodhi 40 nënshkrime dhe në një seancë të jashtëzakonshme futi në rend dite dhe ratifikoi edhe dy marrëveshje të tjera ndërkombëtare. 

Marrëveshjet u votuan e LDK-ja dhe AAK-ja e lëshuan sallën.

Pasi deputetët e PDK-së përmbushën zotimin e marrë në takimin Kurti-Krasniqi, edhe ata e lëshuan sallën.

Seanca i ka vijuar punimet kryesisht me deputetë të Vetëvendosjes dhe të grupit multietnik, por nëpërmjet mospjesëmarrjes në votim, disa nga ta pamundësuan miratimin e amendamenteve të projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor e edhe të projektligjit për verëra.
Në mungesë të opozitës u shty edhe votimi për themelimin e komisionit hetimor për zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe për zhdukjen e mostrave të rastit të Astrit Deharit.