Partia Demokratike e Kosovës do të përcjellë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për zyrtarë publikë dhe atë për Këshillin Prokurorial, në rast se Kuvendi i miraton versionet aktuale të ndryshimeve të propozuara. Përfaqësues të PDK-së kanë thënë të martën se me këto ndryshime synohet politizimi i administratës dhe kontrolli i plotë në KPK
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar Qeverinë për politizim dhe shkatërrim të administratës publike.
Ai ka paralajmëruar të martën se nëse ndryshimet në Ligjin për Zyrtarë Publikë dhe në atë për Këshillin Prokurorial kalojnë në Kuvend me përmbajtjen aktuale, PDK-ja do t’i përcjellë në Gjykatën Kushtetuese.
Në një konferencë për media, Gruda ka adresuar disa nga vërejtjet për projektligjet.
“Është e përcaktuar që ushtruesit e detyrës sipas këtij ligji të kenë të drejtë të mbajnë pozitat e tyre për 12 muaj, pra për një vit me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Pra në total dy vjet. Imagjinoni – duan të bëjnë një rregullim ligjor për mundësi të ushtrimit të detyrës në administratë për 2 vjet rresht”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, qeveria synon ta bëjë bazën ligjore për të larguar kë të dojë nga administrata publike.
“Neni 11 projektligji për ndryshim për ligjin për zyrtarë publikë përcakton që një nëpunësi publik nëse i shuhet vendi i tij i punës, ai kalon në listën rezervë dhe në listën rezervë qëndron vetëm 9 muaj dhe largohet më pas nga pozita. Mendojmë që kjo është një përcaktim që ka për qëllim të largojë njerëz të caktuar nga administrate publike, t’i thuhet se njëherë do t’ju vëmë te lista rezervë dhe pas nëntë muajve ju thonë se nuk ka vend dhe shkoni në shtëpi”, ka shtuar ai.
Gruda ka kritikuar edhe përmbajtjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial, për të cilin ka thënë se mundëson kontroll politik në këtë këshill.
“Ky organ sërish të vihet nën kontroll politik, duke dërguar shumë anëtarë politikë në përbërjen e Këshillit Prokurorial, duke e rritur po ashtu proporcionalisht numrin e anëtarëve në Këshill Prokurorial, ashtu që të dominohet nga politika”, ka theksuar ai.
Në konferencën e organizuar në selinë e PDK-së, është bërë thirrje që ndryshimet në këto projektligje të mos votohen, edhe për faktin se bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dokument i cili kërkon që reforma në administratën publike të bëhet në bashkëpunim me Zyrën e BE-së. (Riad Latifi)