LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja akuzon MPJD-në për humbjen e rreth 600 dokumenteve personale të mërgimtarëve

Opozita ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se është bërë shkaktare që të humbin rreth 600 dokumente personale të mërgimtarëve. Deputetja e Partisë Demokratike, Arjana Musliu-Shoshi, akuzoi Qeverinë edhe për ndikim në misionet diplomatike, me qëllim të përfitimit të votave të mërgatës

Përfaqësues të partisë kryesore në opozitë akuzuan Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJD) për humbjen e qindra dokumenteve personale të mërgimtarëve dhe i bënë thirrje prokurorisë për aktivizim.

Një ditë pas njoftimit të MPJD-së se është shkëputur kontrata me operatorin për ofrimin e shërbimeve postare diplomatike shkaku i vonesave të papranueshme në dërgimin e dokumenteve, deputetja e Partisë Demokratike, Arjana Musliu-Shoshi, tha se për dëmin që u është bërë qytetarëve është përgjegjëse ministrja Donika Gërvalla.

“406 pasaporta, 165 letërnjoftime, 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve tanë janë humbur në postën diplomatike të Republikës së Kosovës. Siç mësohet, tenderi për shpërndarjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme për qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë i ishte dhënë një kompanie shumëfish me të shtrenjtë. Kur themi shumëfish, hiç më pak se 6 herë më të shtrenjtë”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Ajo tha se ky zhvillim ka pasoja te mërgimtarët.

“Shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen. Shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen. E fatkeqësisht edhe shumë plane të tyre do të prishen”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Musliu-Shoshi, që është anëtare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka akuzuar Ministrinë edhe për ndërhyrje të jashtëligjshëm në organizimin e zgjedhjeve nacionale nëpër konsullata.

“Mërgatën tanë kjo qeveri e do vetëm në fushatë, për vota dhe për shfrytëzim politik. Këtë e vërteton edhe skandali tjetër për ndërhyrjen e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve nacionale. Në kundërshtim me ligjin, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës në zgjedhjet nacionale. Këto nuk janë dy skandalet e vetme të kësaj Qeverie”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Pas problemeve që kur është ndërprerë kontrata me operatorin për shërbimet postare diplomatike, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike, e cila ka akuzuar pushtetin për paaftësi dhe dështime të njëpasnjëshme.

E, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, dokumentet janë vonuar për të mbërritur në destinacionet e caktuara, por se nuk kanë humbur. Sipas këtij institucioni, pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se nuk do të ketë tolerime për “operatorët që cenojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.