LAJMET E MBRËMJES

PDK: Haxhiu të shkarkohet, të intervistohet nga Prokuroria për ndikimin e Serbisë në burgje

Shkarkim të ministres së Drejtësisë si dhe hetim lidhur me deklaratën e saj, se disa të burgosurve u ka ndihmuar Serbia të arratisen prej burgjeve të Kosovës, ka kërkuar Partia Demokratike e Kosovës.

Në një konferencë për media të dielën, nga PDK-ja kanë deklaruar se ministrja Albulena Haxhiu me postimin në Facebook është përpjekur ta mbulojë keqmenaxhimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, që është nën përgjegjësinë e saj.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda tha se Haxhiu duhet të shkarkohet.

"Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarata të tilla disfatiste e të papërgjegjshme në dëm të rendit, ligjit dhe shtetit të Kosovës", ka deklaruar Gruda.

Gruda deklaroi se shkarkimi i Haxhiut është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të dështimit në menaxhimin e Shërbimit Korrektues, por edhe për dështimet e njëpasnjëshme në reformën e sistemit të drejtësisë e çuarjen përpara të ligjeve që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai i kërkoi Prokurorisë Speciale që të marrë deklaratë prej ministres, lidhur me pretendimin se Serbia ua ka lehtësuar arratisjen të burgosurve të Kosovës.

"Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës çfarë bën ministrja e Drejtësisë në zyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar dhe çdo njeri i Kosovës. Kjo deklaratë mes tjerash ngrit edhe çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit, prandaj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës kërkoj nga Prokuroria Speciale që ta intervistojë ministren Haxhiu për ta sqaruar deklaratën e saj për përfshirjen e Serbisë, mbi prezencën e saj në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe përfshirjen e njerëzve të saj në arratisjen e të burgosurve kohëve të fundit", është shprehur ai.

Gruda shtoi se është i domosdoshëm edhe një hetim i zgjeruar për rastin e Faton Hajrizit, duke nisur nga qëndrimi i tij si i mitur në burg me të rritur, pastaj arratisjet e tij të njëpasnjëshme dhe të tjerëve.

Hajrizi, sipas autoriteteve të Serbisë, u vra të premten në Lloznicë, dy javë pasi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë.

Ministrja Haxhiu një ditë më parë ka shkruar në Facebook se informacionet e organeve të Kosovës “sugjerojnë që së paku në disa raste” ka arratisje, të cilat “janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.