LAJMET E MBRËMJES

“Pastrimi” kërkon që Komuna t’i pajisë me kamionë të rinj dhe ta anulojë tenderin për angazhimin e privatëve

Për të dytën herë brenda më pak se dy javësh punëtorët e kompanisë publike “Pastrimi” protestuan para Komunës së Prishtinës për të kërkuar përmbushjen e premtimit për furnizim me kamionë të rinj dhe anulimin e tenderit për angazhimin e privatëve në grumbullimin e mbeturinave. Situata nxiti kritika edhe nga opozita në Prishtinë, teksa në Komunë thanë se pastrimi i qytetit po sabotohet për arsye politike

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” i kanë kërkuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që t’i furnizojë me kamionë të rinj për punë. Në protestën e mbajtur të mërkurën para objektit të Komunës, ata e akuzuan ekzekutivin komunal se qëllimshëm nuk po i pajis me mjetet e nevojshme, teksa shprehën vërejtje se Komuna nuk u ka dhënë përgjigje as kërkesës për anulimin e tenderit për angazhimin e pesë operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave.

“Na premtuan një javë ditë, që i bie të premten e kaluar të na japin një përgjigje. Përgjigje nuk kemi marrë, isha para dy ditësh prapë këtu, nuk e takova askënd, nuk del të na tregojnë çka do të ndërmarrin për KRM “Pastrimin”. Për ta ndalë falimentimin. Kërkesat janë të njëjta për heqjen e tenderit, i cili falimenton KRU ‘Pastrimi’”, ka deklaruar Ardian Krasniqi, kryetar i Shoqatës sindikale të kësaj ndërmarrjeje.

Për këtë çështje kritikë ndaj qeverisjes komunale shprehën edhe në Partinë Demokratike. Asamblistja Gresa Lahu e akuzoi qeverisjen e kryetarit Rama se me anë të këtij tenderi po i favorizon bashkëpunëtorët e tij.

“Tenderi 16 milionë eurosh shihet qartë që është favorizim i interesave të caktuara me bashkëpunëtorë, favorizime këto që po e ngarkojnë qytetarin me pagesë të dyfishtë për mbeturinat”, ka theksuar Lahu. 

E në Komunën e Prishtinës, nëpërmjet një reagimi pas protestës, thanë se pastrimi i qytetit po sabotohet për arsye politike.

“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik. Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë ‘Pastrimi’”, thuhet në reagimin e Komunës.

Është kjo hera e dytë që punëtorët e “Pastrimit” e kundërshtojnë me protestë tenderin për angazhimin e privatëve, e për të cilin thonë se ua cenon marrëdhënien e punës.