LAJMET E MBRËMJES

Pas presionit publik, MASHTI kërkon falje për përdorimin e “termit joadekuat”

Ministria e Arsimit hapi tender për angazhimin e një eksperti që, siç specifikohej në dosje të tenderit, veç tjerash do të monitorojë lajme që e atakojnë këtë institucion. Iniciativa nxiti reagime të menjëhershme të mediave dhe njohësve të prokurimit, që e kritikuan qëllimin dhe mënyrën e kontraktimit. E pas presionit publik, në MASHTI kërkuan falje për, siç thanë, përdorimin e termit joadekuat

Tenderi i Ministrisë së Arsimit për angazhimin e një eksperti që do të ketë për detyrë monitorimin e lajmeve, që siç theksohet në dosje, e atakojnë këtë institucion, nxiti reagimin e mediave dhe njohësve të prokurimit. 

Kontraktimi për këtë detyrë, sipas dosjes së tenderit, parashihet të realizohet nëpërmjet procedurës së shërbimeve të veçanta e në vlerë prej 7 mijë e 200 eurosh. 

Por Albulena Nrecaj, drejtoreshë në organizatën INPO që i monitoron procedurat e prokurimit, thotë se as detyrat e as mënyra e angazhimit nuk janë në përputhje me rregullat dhe Ligjin e prokurimit. 

“Ky tender nuk është në përputhje me procedurat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të veçanta ku përpos të tjerash, duke pas parasysh termat e referencës dhe detyrat që kërkoheshin brenda dosjes së tenderit për atë pozitë nuk i përshtateshin punës apo të themi nuk ishin shërbime të veçanta siç kërkohet me nenin 57 të rregullores për prokurimin publik, ku përmes kësaj procedure apo përmes këtij neni ligji u ka mundësuar autoriteteve kontraktuese që të kontraktojnë punë për shërbime të veçanta të ndonjë profesioni të veçantë apo të ndonjë shërbimi të veçantë, i cili nuk mund të gjendet apo nuk mund të ofrohet nga zyrtarët publikë respektivisht nga stafi i administratës publike brenda institucionit”, ka thënë Nrecaj. Ajo thotë se procedura e tenderimit për shërbime të veçanta zakonisht keqpërdoret për qëllime të caktuara. 

“Kemi gjetur raste kur është keqpërdorur procedura në kuptimin e asaj që janë kontraktuar përmes këtyre procedurave shërbime të cilat nuk janë të veçanta dhe nuk kërkojnë d.m.th. ndonjë ekspertizë specifike e cila nuk ofrohet nga ana e zyrtarëve publikë apo nuk mund të sigurohet përmes rekrutimit që e siguron ligji për zyrtarët publikë. Këto metoda aplikohen për të arritur qëllime të caktuara të menaxhmentit të institucioneve apo titullarëve të institucioneve apo autoriteteve kontraktuese dhe po ashtu shërbejnë për punësimin e bashkëpunëtorëve, militantëve apo ku ta di unë, njerëzve të afërt me pushtetin”, ka thënë Nrecaj. 

E pas kritikave publike, Ministria e Arsimit kërkoi falje për përdorimin në dosje të termit “lajme që e atakojnë institucionin”, duke e kualifikuar si “term joadekuat”. 

“Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, Divizioni për Komunikim Publik ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuatë dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës. Monitorimi i mediave është detyrë të cilën, Divizioni për Komunikim Publik (DKP) e kryen për shumë vite dhe kjo i ka shërbyer në vazhdimësi MAShTI-t për ta mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktoriale”, thuhet në reagimin e MASHT-it. 

Por këtë arsyetim e quan të papranueshëm juristja e medias, Flutura Kusari, tek vlerëson se planifikimi i tenderit është në përputhje me politikat kundërshtuese të partisë në pushtet, ndaj mediave. 

“Pres që Ministria e Arsimit ta tërheq këtë tender dhe të arsyetohet se kinse është gabim por absolutisht nuk e pranoj këtë arsyetim, për shkak se të përmendet fjala atak është shumë e rëndë dhe është shumë mirë e menduar, prandaj do ta bëjë një gjë të tillë vetëm pas presionit publik dhe jo përse nuk e mendojnë se mediat me të vërtetë i atakojnë ata”, ka thënë Kusari. “Tenderi i MASHT-it për të menaxhuar kompani, për të monitoruar kinse sulmet ndaj mediave është në pajtim të plotë me politikën e Vetëvendosjes e cila i konsideron mediat si armiku i popullit dhe rrjedhimisht, konsideron që duhet të mbrohet nga armiku i popullit. Një gjë e tillë kontribuon në pasigurinë e gazetarëve, faturën e së cilës ne do të vazhdojmë ta paguajmë sidomos përmes vlerësimeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo. 

Në shoqërinë civile e kërkuan anulimin e tenderit, e në komunikatën e Ministrisë së Arsimit nuk është dhënë sqarim lidhur me këtë.