Është anuluar konkursi për gradimin e policëve në rreshterë, pas raportit të Inspektoratit Policor, të publikuar një ditë më parë, ku gjeti shpërfillje të disa kritereve, të cilat ia mundësuan gjeneratës së 54 të policisë avancimin. Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Siguri tha se kurdisja e konkursit nuk u bë për t’ia mundësuar fëmijëve të eprorëve policorë avancimin
Një ditë pas publikimit të raportit të Inspektoratit Policor (IPK), në të cilin janë evidentuar dobësi dhe parregullsi në procesin e gradimit të policëve në rreshterë, Policia e ka anuluar konkursin, duke e kthyer atë në pikën zero.
Në këtë konkurs, avancimi në detyrë u është mundësuar edhe policëve të gjeneratës së 54-t, të cilët nuk e kanë plotësuar kriterin e qëndrimit dyvjeçar në gradën “Polic i lartë”.
Në njoftimin e Policisë është bërë e ditur se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt, porse është anuluar për “ruajtën e imazhit dhe të kredibilitetit të institucionit”.
“Me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit, të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter, të shpallur më 12.02.2024. Policia e Kosovës, bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e IPK-së, pas rishikimit të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me këtë çështje, të martën para Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes ka raportuar kryeshefi i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, i cili është pyetur më detajisht lidhur me gjetjet e publikuara të hënën.
Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e ka pyetur Hodajn për hetimin e afërsisë familjare të kandidatëve për rreshterë dhe të oficerëve të lartë brenda policisë.
“A i keni shikuar kush janë policët e gjeneratës së 54-t, a janë fëmijët e eprorëve në polici, që është dashur gjithqysh të jenë, a i keni shikuar fëmijët e kujt janë?”, ka pyetur Bajqinovci.
“Është diskutuar edhe kjo, ka qenë publike, fëmijë të eprorëve ka pasur në të gjitha gjeneratat. Mirëpo nuk kemi gjetur ndonjë numër të konsiderueshëm që ta krijojmë bindjen, që për këtë arsye është bërë dhe është diçka që nuk mund t’iu ndalohet asnjë personi”, i është përgjigjur Hodaj.
Kryeshefi i IPK-së është pyetur edhe mbi shpërndarjen e pyetjeve të testit me shkrim. Lidhur me këtë çështje ai ka thënë se janë duke u marrë zyrtarët hetues.
“Deri tash nuk kemi arritur të dokumentojmë diçka konkrete. Mirëpo ato janë në një proces tjetër, që zhvillohet ndaras procesit të inspektimeve edhe pse për shkak të tematikës, ne fillimisht kemi punuar si grup i përbashkët, por pastaj janë ndarë. Departamenti i inspektimeve ka hartuar raportin e inspektimit, departamenti i hetimeve ka trajtuar ankesat individuale dhe për këtë arsye ato nuk janë të pasqyruara sepse deri në këtë fazë nuk ka rezultat të hetimeve”, ka thënë Hodaj.
Për publikimin e pyetjeve të testit, me kërkesë të deputetit të Partisë Demokratike (PDK), Rashit Qalaj, mbledhja e këtij komisioni i ka mbyllur dyert për publikun.