Republika e Kenias e ka njohur shtetin e Kosovës, duke i dhënë fund shterpësisë më shumë se katërvjeçare në njohje. Lajmin për këtë fillimisht e ka konfirmuar ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili në rrjete sociale i ka publikuar edhe disa fotografi nga ceremonia e nënshkrimit të vendimit nga presidenti i Kenias, William Ruto. Pak orë pas publikimit të Pacollit, lajmin për njohjen e ka konfirmuar presidentja Vjosa Osmani, tek e ka publikuar vendimin e homologut nga Kenia. Kenia bëhet shteti i 118-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës
Pas më shumë se katër vjetësh pa asnjë njohje të re, Kosova e ka marrë të mërkurën konfirmimin zyrtar të njohjes nga Republika e Kenias.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur fillimisht ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili ka publikuar pamje nga ceremonia e nënshkrimit të këtij vendimi nga presidenti i Kenias, William Ruto.
Pak orë më vonë, edhe presidentja Vjosa Osmani e ka konfirmuar njohjen, duke e kualifikuar atë si rezultat i një angazhimi të gjatë diplomatik.
“Njohja e Kenias është një njohje e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri dhe drejtësi. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, i shpreh falënderime të sinqerta presidentit Ruto për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap diplomatik”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka shtuar se gjatë viteve të fundit ka zhvilluar takime të rëndësishme me presidentin Ruto, gjatë së cilave ka bërë të ditur se temë kryesore e diskutimit ka qenë çështja e njohjes së Kosovës.
“Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejt, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë. Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-presidentit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, ka shkruar Osmani.
Në letrën e njohjes të presidentit të Kenias është përmendur fakti se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në opinionin e saj të vitit 2010 ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në letër është vlerësuar po ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
E Pacolli ka shkruar se për njohjen nga shteti afrikan ka lobuar që nga viti 2009.
“Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia! Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare!”, ka shkruar ai.
Pacolli i ka bërë thirrje Qeverisë që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe që të hapë ambasadë të përbashkët me Shqipërinë në këtë shtet.
“Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, ka shkruar Pacolli.
Kenia bëhet shteti i 118-të i cili e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Njohja e fundit për Kosovën ka qenë ajo nga Izraeli dhe e cila ka qenë pjesë e marrëveshjes së Washingtonit, e arritur më 4 shtator të 2020-s.