Pas më shumë se 10 muaj pa takim në kuadër të dialogut, kryeministri Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 26 qershor në Bruksel. Në BE nuk e treguan agjendën, por në Qeverinë e Kosovës thanë se fokus i takimit do të jenë zbatimi i Marrëveshjes bazike dhe Aneksi i saj, si dhe rruga përpara.
Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën e javës së ardhshme në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, mbi 10 muaj pas takimit të fundit.
Dakordimi për këtë takim, të cilin e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u bë disa ditë pas vizitës së emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë e Beograd.
Takimi është thirrur me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ndonëse nga blloku evropian nuk e shpalosën agjendën e takimit.
Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës thanë se temë diskutimi mes tjerash do të jetë edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.
“Me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të saj, si dhe rrugën përpara”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit.
Që atëherë Borrelli e Lajçaku nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë.
Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes.
Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.
Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti.
Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet një zëvendësues.