Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka implikuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, në rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Kurteshi ka thënë se të përfshirë në “inskenim” të këtij rasti kanë qenë edhe Policia, Prokuroria dhe AKI-ja. E opozita e ka fajësuar partinë në pushtet për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që sipas tyre, ka çuar në shkatërrimin e mostrave të këtij rasti.
Lëvizja Vetëvendosje i ka implikuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli në atë që e kanë quajtur vrasje të Astrit Deharit.
Anëtari i kësaj partie, Sami Kurteshi, ka thënë se rasti “Syri i Popullit” dhe rasti i sulmit në Kuvend kanë qenë të orkestruara prej ish-udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, Thaçi e Veseli vetë e kanë pranuar se në rastin Dehari bëhet fjalë për vrasje.
“Urdhri ka qenë politik nga maja e shtetit, fatkeqësisht në atë kohë nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari që edhe në mjete të informimit kanë pranuar se është vrasje rasti i Deharit dhe ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejt për veglat e tyre në Prokurori, Gjykatë, AKI e Polici për ta inskenuar rastin”, tha Kurteshi.
Kurteshi ka thënë se kjo është përdorur si strategji e Prokurorisë që rasti të zvarritet.
I pyetur lidhur me atë se pse e problematizojnë faktin që ish-prokurorët Sylë Hoxha dhe Metush Biraj që tash janë avokatë, Kurteshi tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk jep urdhra politikë sikurse pushtetet e kaluara.
“Mbikëqyrja e pjesëve të sistemit të drejtësisë nuk është diktaturë, mbikëqyrja është e karakterit profesional dhe e karakterit procedural dhe po, Ministria e Drejtësisë i mbikëqyr këto dhe i ka nën mbikëqyrje, por nuk dikton qysh kanë bërë pushtetet e kaluara duke dhënë urdhra të drejtpërdrejtë për arrestime, për vrasje për manipulime”, tha Kurteshi.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësi i PDK-së, Përparim Gruda, i cili ka thënë se është e turpshme të fajësohet PDK-ja, kur brenda mandatit qeverisës të Vetëvendosjes është djegur objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Pse Lëvizja Vetëvendosje e pengon në Kuvend themelimin e komisionit parlamentar për hetimin e rastit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit dhe djegies së Institutit të Mjekësisë Ligjore. Këto pyejte janë thelbi. Janë problemi kryesor i kësij pushteti. Mungesa e përgjigjeve në këto pyetje tash e sa kohë, ngrit dyshime serioze për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës mbi përfshirjen e njerëzve të kësaj Qeverie në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe në djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, tha Gruda.
Reagim të ngjashëm ka bërë edhe deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami. Ajo ka shkruar në Facebook se nën udhëheqjen e Vetëvendosjes u humbën mostrat e Astrit Deharit.
“Ndiej dhimbje në shpirt për Astrit e Arbnor Deharin. Për prindërit e tyre, për gjithë familjen e tyre. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. E turpshme dhe kriminale që sot Sami Kurteshi në emër të LVV-së nuk e përmendi faktin se në kohën kur këta vetë po qeverisin kanë ndodhur edhe ngjarje tjera lidhur me këtë rast. Në koferencën që sapo përfundoi Vetëvendosje nuk tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore që është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, tha Bajrami.
Rasti i sulmit me granatahedhës në Kuvend për mosratifikim të Demarkacionit janë përmbyllur me lirim të të gjithë të akuzuarave.
Por, Astrit Dehari ka vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 4 nëntori 2016 në kohën sa ishte i dyshuar për sulmin në Kuvend me granatahedhës të datës 4 gusht 2016.