LAJMET E MBRËMJES

Palët takohen në Bruksel, Lajçaku paralajmëron takime të tjera për Rregulloren e BQK-së

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga guvernatori i Bankës Qendrore, ka zhvilluar në Bruksel një takim të ndarë me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e më pas edhe me delegacionin serb, të përfaqësuar nga ekspertë financiarë. Pas këtij takimi që përfundoi në orët e pasdites, emisari Lajçak tha se nevojiten edhe takime të tjera për zgjidhjen e çështjes së Rregullores së BQK-së pasi, siç tha, shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje

Në Bruksel janë zhvilluar sot takimet, të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar të jenë në kuadër të dialogut, për të gjetur një zgjidhje mbi përdorimin e valutës në Kosovë, që nuk do të kishte pasoja për popullatën serbe.

Por takimi nuk ishte i nivelit politik, sepse Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Ndërkaq Serbia në takim u përfaqësua nga delegacioni i udhëhequr nga Petar Petkoviqi.

Së pari delegacionet patën takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe më pas edhe një takim të përbashkët por vetëm në nivel të ekspertëve financiarë.

Në këtë takim të ekspertëve ishin përfaqësuesit e Ministrisë së Financave të Serbisë dhe delegacioni i udhëhequr nga shefi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Guvernatori i BQK-së ka sqaruar pozicionet që ai i ka shprehur në këtë takim.

Ai ka theksuar se janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdoje “financimi i qytetarëve serbë nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar tek Banka Popullore e Serbisë”.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet”, ka thënë Ismaili, në një përgjigje për KOHËN.

Ndërkaq, shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, për të cilin thuhet se nuk ka qenë në takim të ekspertëve, përsëriti kritikat ndaj Kosovës se me refuzimin për të ardhur në këtë takim në nivel politik, dëshmon se nuk është e interesuar për zgjedhje, sipas tij. Ai i përsëriti po ashtu qëndrimet që janë dëshmuar shpesh nga Serbia se vendimi i BQK-së është vendim i Kurtit për t’i dëbuar serbët nga Kosova, sipas tij. Petkoviqi ka thënë se vendimi ka karakter politik, ka pasoja politike dhe prandaj edhe duhet gjetur një zgjidhje politike.

Ndërkaq i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, vetëm në një postim në rrjete sociale ka thënë se takimi ishte i nivelit të duhur në kuadër të dialogut, por shtoi se ka nevojë për takime të tjera dhe për një kërkim të një zgjidhjeje politike për këtë çështje.

“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga Rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në “X” pas takimit.