Për ta çuar rastin në proces jashtëgjyqësor janë pajtuar të gjitha palët e përfshira. Avokati i Bislimit, Florent Latifaj, ka thënë se pas konsultimeve të bëra është arritur dakordimi për ta vazhduar procedurën e ndërmjetësimit. Qëndrim pro kalimit të çështjes në ndërmjetësim, bazuar në procedurat ligjore dhe në afatet e përcaktuara ka shprehur edhe avokati i deputetit Haxhiu, Ardian Megjani, si dhe ajo e Lushtakut, Besjana Ismajli
Rasti gjyqësor për konfrontimin fizik të vitit 2023 në Kuvend më mes të deputetëve të Partisë Demokratike (PDK) dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar është çuar në ndërmjetësim.
Në shqyrtimin fillestar të rastit të rrahjes në seancën plenare të 13 korrikut të shkuar, të martën para Gjykatës Themelore në Prishtinë janë paraqitur të gjitha palët, përfshirë deputetin e PDK-së, Hajdar Beqa, i cili është i akuzuar për sulm dhe për dëmtim të pasurisë, shkaku i dëmtimit të syzeve të ministrit Hekuran Murati. Krahas tij, të akuzuar për sulm janë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. E deputeti Bekim Haxhiu, nga PDK, është i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, përderisa ministri i Financave, Hekuran Murati, është palë e dëmtuar.
Gjyqtari Eroll Gashi ka përmendur gjatë seancës mundësinë e ndërmjetësimit.
“Në qoftë se arrihet kjo marrëveshje, atëherë aktakuza për të gjithë të akuzuarit hidhet, sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”, ka thënë ai.
Për ta çuar rastin në proces jashtëgjyqësor janë pajtuar të gjitha palët e përfshira.
Avokati i Bislimit, Florent Latifaj, ka thënë se pas konsultimeve të bëra është arritur dakordimi për ta vazhduar procedurën e ndërmjetësimit. Qëndrim pro kalimit të çështjes në ndërmjetësim, bazuar në procedurat ligjore dhe në afatet e përcaktuara ka shprehur edhe avokati i deputetit Haxhiu, Ardian Megjani, si dhe ajo e Lushtakut, Besjana Ismajli.
E Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e ka kualifikuar ndërmjetësimin si praktikë për vepra të tilla penale, si gjë pozitive. Ai ka thënë se duke iu qasur rastit me ndërmjetësim, si zëvendëskryeministri i parë ashtu edhe tre deputetët e PDK-së nuk e vënë në pikëpyetje faktin se kanë kryer vepra penale.
“Aspekti i parë, si një reklamë për të zbatuar procedurat e ndërmjetësimit edhe në raste të tjera kur e lejon ligji, mundësi kjo që të zvogëlojë numrin e madh të lëndëve në gjyqësor dhe me kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Dhe aspekti i dytë ka të bëjë me faktin se publiku e kupton se palët e përfshira e pranojnë se kanë kryer veprën penale dhe po shprehin vullnet që këtë ta zgjidhin me marrëveshje dhe pa pasoja juridike për ta”, ka thënë Miftaraj, tek ka shtuar se “kjo nuk e ndryshon faktin se deputetët dhe ministrat kanë kryer vepër penale dhe kanë pasur një sjellje të papranueshme dhe se janë penduar për sjelljen e tyre, andaj edhe duan ta zgjidhin me procedurë alternative si ndërmjetësimi”.
Palët e përfshira në këtë rast kanë 90 ditë afat për të arritur marrëveshjen, përveç në rast se ky afat zgjatet në përputhje me Ligjin për ndërmjetësim. Në rast se marrëveshja dështon, atëherë rasti do t’i kthehet Gjykatës për t’u zhvilluar përsëri nga fillimi.