LAJMET E MBRËMJES

Pagat deri në 250 euro nuk do të tatohen, si rrjedhojë punëtorët do marrin 6.8 euro më shumë

Për shkak të ndryshimit të shkallëve të tatimit të pagave, të gjithë të punësuarit në Kosovë do i marrin 6 euro e 80 cent më shumë. Kjo pas hyrjes në fuqi të ligjit që rregullon edhe pagën minimale, e cila është rritur në 264 euro. Por ligji u kritikua nga opozita.

Ka hyrë në fuqi ligji që rritë pagën minimale në 264 euro dhe ndryshon shkallën tatimore të pagave.

I miratuar në korrik të vitit të kaluar, ligji u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për shkak se ligji nuk parasheh rritjen e pensioneve të veteranëve të luftës dhe personave me aftësi të kufizuara përkitazi me pagën minimale.

Në qershor, Kushtetuesja konstatoi që ky Ligj nuk e shkelë aktin më të lartë juridik të vendit, e të premten u publikua në Gazetën Zyrtare kur edhe hyri në fuqi menjëherë.  

Ministri i Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati tha se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, po përmbushet një premtim.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade. Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”, tha Murati.

Ligji parasheh që në fund të çdo viti, Këshilli Ekonomiko-Social i propozon Qeverisë lartësinë e pagës minimale, të cilin e miraton më pas ekzekutivi.

Atdhe Hykolli, ish-kryetari i këtij këshilli, që tani është jo-funksional, ka thënë se propozimi prej 264 eurosh për pagë minimale tani nuk i përgjigjet kostos së jetesës.

“Kjo pagë është negociuar qe 2 vjet, që për momentin nuk i plotëson kushtet normale për t’i mbështetur të punësuarit në Kosovë. Për arsye se është edhe me ligj që paga minimale duhet të negociohet çdo fund vit, që në fillim vitin tjetër paga t’i përshtatet edhe çmimeve edhe standardit”, tha Hykolli.

Përpos rritje së pagës minimale, ligji parasheh lirimin nga tatimi i pagave deri në 250 euro, që nënkupton që secili i punësuar nga shtatori i merr 6.8 euro shtesë.

Pagat nga 250 deri 450 euro do të tatohen në vlerë 8%, e ato mbi 450 euro tatohen me 10%.

Po të llogaritet një pagë bruto prej 500 eurove, i bie që në vend se ti marrin 449.7 euro, nga shtatori do paguhen 456 euro e 50 cent.

Në opozitë kanë ironizuar me këtë efekt të ri-caktimit të shkallshmërisë së tatimit të pagave.

“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!” – ka shkruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Në 4 vjet qeverisje, kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë!” – ka shkruar anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa.

Paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Edhe pas kësaj rritje, Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në Evropë.