Veprimi i Ramadan Nishorit, i cili theu heshtjen për dhunën seksuale ndaj burrave gjatë luftës, është vlerësuar lart nga liderët institucionalë. Presidentja Vjosa Osmani tha se të mbijetuarit si Nishori janë shembull i asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe drejtësinë.
Liderët institucionalë në rastin e Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë kanë çmuar Ramadan Nishorin, bashkë me të tjerë që thyen heshtjen për dhunën seksuale gjatë luftës.
Presidentja Vjosa Osmani tha se njerëzit si Nishori, Vasfije Krasniqi e Shyhrete Tahiri Sulimani, janë shembull i luftës për të vërtetën.
“Është shembull i grave e burrave që nuk kanë lejuar që dhimbja t’i mposhtë, por e kanë shndërruar dhimbjen e tyre në shembull të guximit, në shembull të pamposhtjes dhe në shembull të qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës. Është qëndrueshmëria e grave si Vasfia e Shyhretja e edhe e burrave që nga sot kanë dalë të flasin publikisht për atë që kanë përjetuar nga regjimi gjenocidal që e bën Kosovën një shembull të asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe për drejtësinë”, tha Osmani.
Pasi bëri homazhe te Memoriali Heroniat kryeministri në detyrë tha se Nishori bëri thirrje të fuqishme për burrat e mbijetuar.
“Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Ndërsa Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se synimi i tyre është pikërisht që Ramadan Nishori të shërbejë si shembull për të mbijetuarit e tjerë.
“Mos të harrojmë se burrat e kanë shumë më të vështirë. Ju e dëgjuat rrëfimin e Danit sot se sa e vështirë ka qenë të flasë, se sa e vështirë ka qenë që të dalë mbi petkun e viktimës dhe të rrëfejë rrëfimin e vet, mirëpo janë rreth 100 burra që marrin shërbime në organizatë dhe ne shpresojmë që rrëfimi i tij sot t’i fuqizojë edhe mijëra zëra, qoftë të grave, qoftë të burrave që të vijnë e të kërkojnë pikë së pari rehabilitim sepse pa mirëqenie psikologjike e mendore është e vështirë t’i qasesh qoftë reparacioneve apo njohjes ligjore, qoftë rrugëve të drejtësisë”, tha Rushiti.
Ndërsa e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ka thënë se ajo që ka bërë Nishori, është më shumë sesa rrëfim.
Sipas saj, është histori që do të ndryshojë shumë jetë.
Krasniqi ka thënë se vendimi i tij për të dalë hapur që të tregojë për përjetimet e tij, është akt që frymëzon.
Të hënën në Kosovë është shënuar Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës.
Në këtë ditë Qeveria në detyrë në një mbledhje elektronike të zhvilluar, ka vendosur që afati për të aplikuar për njohje të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shtyhet deri në maj të vitit 2027.
Gjithashtu deri më 15 maj të vitit 2028, i është vazhduar mandati Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.