LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Serbisë t’i vendosen masa, po planifikon sulme të reja në Kosovë

Thirrje për zbatimin e masave ndëshkuese ndaj Serbisë rreth sulmit të 24 shtatorit në Banjskë ka adresuar presidentja, Vjosa Osmani, nga Brukseli, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi se nga informatat që i kanë siguruar institucionet e sigurisë bashkë me partnerët, Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë

Në Bruksel është duke u zhvilluar Samiti BE-Ballkani Perëndimor, në të cilin pritet që të diskutohet më së shumti për temat e përshtatjes me politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, me procesin e zgjerimit, por edhe për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gradualisht në disa politika të Bashkimit Evropian edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson presidentja, Vjosa Osmani, e cila tha se ka ardhur me kërkesën që menjëherë të hiqen masat e padrejta që janë vendosur ndaj Kosovës

“Po punojmë me partnerët tanë në BE në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë dhe sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë, dhe e dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës. Është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq, deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim dhe në qoftë se vazhdohet pa asnjë veprim ose masë në raport me Serbinë, Serbia do ta marrë këtë si një lloj nxitjeje. Të gjitha informatat që ne i kemi është që Serbia po planifikon sulme të reja”, ka thënë Osmani.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, tha se është shumë e rëndësishme për vendet e rajonit që të përshtaten me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian. Ai foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ka lajme të mira në këtë aspekt.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në të cilin kemi investuar shumë kohë dhe energji ka kaluar nëpërmjet uljeve dhe ngritjeve, shumë krizave, por dhe zgjidhjeve, si kartat e identitetit, targat e veturave, energjia e të tjera. Ditëve të fundit ka pasur lajme të mira, të dyja palët po lëvizin ngadalë, por së paku po lëvizin dhe ne duhet t’i inkurajojmë që të lëvizin edhe më shumë, ngase kjo është e vetmja mënyrë për ta që të kenë një perspektivë të qartë evropiane”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michell, i cili është edhe mikpritës i këtij takimi, nënvizoi nevojën e zgjidhjes së çështjeve të mbetura mes palëve në mënyrë që të avancojnë drejt integrimit në BE.

“Presim më shumë reforma, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të pavarësisë së drejtësisë. Por edhe në anën tonë duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. Prandaj i kemi nisur debatet strategjike në nivel liderësh për të identifikuar reformat që nevojiten. Kam propozuar reformat që edhe ne të bëhemi gati për zgjerim. Duhet të investojmë më shumë dhe të zhvillojmë integrimin gradual. Ata duhet të zgjidhin edhe mospajtimet mes tyre. Projekti evropian është i bazuar në pajtim dhe në bashkëpunim”, ka thënë Michell.

Në fund të takimit pritet që të miratohet edhe deklarata e këtij samiti përmes të cilit Bashkimi Evropian do t’u dërgojë përsëri porosi Kosovës dhe Serbisë që t’i përmbushin obligimet nga marrëveshjet e dialogut dhe të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, përfshirë edhe të mos bëjnë veprime që mund të çojnë edhe në tensione të reja në Kosovë. Po ashtu, pritet që përmes kësaj deklarate të përsëritet përkushtimi i Bashkimit Evropian për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e energjisë, të sigurisë kibernetike, të agjendës digjitale dhe çështjeve të tjera, duke u përballur në këtë mënyrë më lehtë me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.