LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Sakrifica e Jasharëve, dritë udhërrëfyese në forcimin e Kosovës

Me homazhe për 59 anëtarët e familjes Jashari, të cilët janë vrarë më 5, 6 dhe 7 mars të 1998-s, është nderuar lufta e UÇK-së si dhe e atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se trashëgimia që ka familja Jashari dhe UÇK-ja janë frymëzim për breza të rinj në mbrojtje të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. E kryeministri Albin Kurti ka theksuar se ngjarjet e marsit të 1998-s kanë qenë filli i kryengritjes së shqiptarëve për t’i dhënë fund luftës

Qytetarë të shumtë, politikanë dhe udhëheqës të shtetit kanë nderuar të enjten qëndresën treditëshe të familjes Jashari, në 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me homazhe për 59 anëtarët e familjes Jashari, të cilët janë vrarë më 5, 6 dhe 7 mars të 1998-tës, është nderuar lufta e UÇK-së si dhe e atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës.

Qytetari Nehat Duraku ka udhëtuar nga Krusha e Madhe e Rahovecit për në Prekaz për ta shprehur mirënjohjen e tij për këto tri data historike.

“Edhe Krushën e kemi që na lidh marsin me Prekazin. Një vit pas (Prekazit) te ne ka pasur luftë e masakra”, është shprehur ai tek e ka vizituar kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz.

Ai ka thënë se marsi i Prekazit ia sjellë në kujtesë ngjarjen që një viti më vonë ka ndodhur në Krushë.

“Falë Likoshanit, Qirezit dhe luftës legjendare të Jasharëve, u zgjua një popull i tërë që rrugë tjetër nuk ka pasur pos luftës”, ka thënë ai.

E një arsimtare e gjuhës gjermane ka bërë të ditur se qëndresën e familjes Jashari dhe kryengritjen historike të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Serbisë mundohet që t’ua gdhend në kujtesë nxënësve të saj.

“Jam mësimdhënëse e gjuhës gjermane. Kam edhe nxënës gjermanë që kanë qejf ta mësojnë gjuhën shqipe dhe shpeshherë më ka ndodhur që t’i informoj për Adem Jasharin, si dhe i kam sjellë këtu edhe për homazhe, shumë shpesh”, ka thënë ajo.

Krahas qytetarëve të shumtë, nderime për Epopenë e UÇK-së në Prekaz kanë bërë të enjten edhe liderë shtetërorë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se trashëgimia që ka familja Jashari dhe UÇK-ja janë frymëzim për breza të rinj në mbrojtje të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar në emblemë të UÇK-së dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të një kalaje të lirisë që edhe sot e mbron Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Nga këtu brezat tanë inspirohen për rrugën përpara, mbrojtjen e lirisë dhe na përkujtohet se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë”, ka thënë Osmani nga Prekazi. “Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar, nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve e martirëve dhe gjithmonë kjo rrugë, kjo sakrificë, do të shërbejë për secilin prej nesh si dritë udhërrëfyese në forcimin e Kosovës, e cila çdo ditë po bëhet më e fortë dhe më prosperuese për qytetarët e saj”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka theksuar se populli shqiptar i detyrohet familjes Jashari për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

“Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë, e cila e ka shpëtuar popullin e Kosovës. E kjo e vërtetë është që liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar me armë në dorë, dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet. Kështu veproi familja Jashari”, ka deklaruar Konjufca.

E kryeministri, Albin Kurti, ka theksuar se ngjarjet e marsit të 1998-tës kanë qenë filli i kryengritjes së shqiptarëve për t’i dhënë fund luftës. E për të rënët në Prekaz, Kurti ka thënë se ka vetëm data të lindjes e jo edhe të vdekjes.

“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan por edhe gjithandej në mërgatë. E njëkohësisht u vetëdijesua e ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtar dhe diplomacia botërore. Sot baca Shaban do të ishte 100 vjeç, e sivjet Hamza do të bëhej 75 vjeç e Ademi 70 vjeç, ata nuk i kemi më fizikisht por ata kanë vetëm ditëlindje. I kanë dy prillin, 19 prillin dhe 28 nëntorin”, është shprehur Kurti.

Në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, në Prekaz kanë bërë homazhe edhe ministra, kryetarë të komunave dhe liderë të partive politike. 

Më 5 mars të 1998-tës, forcat serbe patën sulmuar kullën e Jasharëve. Rezistenca e tyre ka zgjatur deri më 7 mars, kur janë shpallur të vrarë 56 anëtarë të kësaj familjeje, mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Rezistencën e kanë udhëhequr Adem e Hamëz Jashari.