LAJMET E MBRËMJES

Osmani porosit 344 rekrutët: Ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së

Kosova është bërë me 344 ushtarë të rinj. Në një ceremoni në kazermën e FSK-së, “Skënderbeu” në Ferizaj, ata të premten kanë dhënë betimin. Presidentja Vjosa Osmani, e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, i ka porositur rekrutët se ata duhet ta mbrojnë amanetin e UÇK-së

Jehona e hapave të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë (FSK) ka mbërthyer të premten kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

344 ushtarë kanë dhënë betimin para zyrtarëve më të lartë shtetërorë, eprorëve si dhe në prani të familjarëve të tyre.

Ëndrrën e saj fëmijërore që t’i shërbejë me armë shtetit, e ka përmbushur Leonora Gajtani.

“Është ndjenjë shumë e veçantë me qenë përbrenda kësaj uniforme dhe t’i shërbej atdheut, këtij flamuri dhe kësaj steme. Këto 9 javë trajnim kanë qenë shumë të vështira për neve, por falë përgjegjësve tanë që na kanë ndihmuar me i tejkaluar këto sfida”, është shprehur ajo, pasi e ka bërë betimin si ushtare e re e FSK-së.

E Bahri Jahiri, i cili ka shprehur krenarinë për që e ka veshur uniformën e FSK-së, ka thënë se gjatë nëntë javëve të trajnimit ka mësuar shumë.

“Kemi mësuar shumë gjëra, për arsye se kalimi nga jeta civile në atë ushtarake nuk është aspak e lehtë. Kemi mësuar shumë gjëra për mbijetesës dhe gjëra që jeta civile nuk ua mëso”, ka theksuar ai.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, i ka motivuar rekrutët të cilët i përkasin gjeneratës së parë të vitit 2025.

“Të gjithë sot që u betuat jeni pasardhës të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet më të rënda të historisë sonë, prandaj mbajeni këtë uniformë me krenarinë më të madhe”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ua ka rikujtuar rekrutëve rolin që secili ushtar e bart.

“Me këtë uniformë që vishni sot, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur ajo.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka bërë zotimin për rritjen e investimeve në ushtri.

“Mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ngritur e zhvilluar kapacitetet tona mbrojtëse. Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katërvjeçare që kemi bërë deri më tani”, ka thënë Kurti.

Kosova së fundi ka iniciuar hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve brenda vendit, por edhe të dronëve. Përveç industrisë së mbrojtjes, institucionet kanë ndërmarrë hapa në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara (SHBA), por edhe me shtete të tjera rajonale, që janë pjesë e NATO-s, si Kroacia dhe Shqipëria.

Thellimi i bashkëpunimit në mbrojtje është bërë në kohën kur po vazhdon procesi i transformimit të FSK-së në ushtri, proces ky që pritet të përmbyllet më 2028. Kosova mëton që një ditë të bëhet pjesë e strukturave të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, por ka pengesa në këtë drejtim, pasi që në Aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në ceremoninë e së premtes janë dhënë lëvdata për rekrutët më të dalluar. Për rezultate akademike janë veçuar Luan Verbovci, për performancën më të mirë fizike Elvis Qitaku, ndërsa për përkushtimin në detyrë instruktorët Rafet Gashi dhe Valon Halimi.