LAJMET E MBRËMJES

Osmani përmend koordinimin me KFOR-it rreth hapjes së Urës, Kurti: S’mund të presim pafundësisht

Komandanti i KFOR-it është takuar të hënën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth paralajmërimeve për hapjen e Urës. Derisa në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar se kur do të hapet për qarkullim pas finalizimit të testimeve, Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit me partnerët për ndërtimin e një plani të përbashkët në finalizimin e kësaj çështjeje. E kryeministri Kurti ka insistuar se Ura duhet të hapet duke shtuar se kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime me partnerët se për këtë çështje.

Çështja e hapjes së Urës mbi lumin Ibër ka qenë temë diskutimi në takimin që presidentja Vjosa Osmani ka pasur të hënë me komandantin e KFOR-i, Oezkan Ulutash.

Ajo ka përmendur rëndësinë e koordinimit me aleatët, të cilët vazhdojnë t’i kërkojnë Qeverisë që çështjen e Urës ta negociojnë në dialogun e Brukselit.

“Presidentja ka ritheksuar se hapja e Urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e Urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, thuhet nga Presidenca.

Qeveria një muaj shfaqi synimin që ta hapë për automjete urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.

KFOR-i pati deklaruar se me hapje të Urës rrezikohet siguria e rajonit, derisa ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se me hapje të Urës rrezikohen ushtarët e NATO-s.

Lidhur me këtë rrezik është pyetur javën e shkuar edhe një zëdhënës në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Tek tha se i duhen më shumë informacione lidhur me deklaratat e Osmanit që i kishte quajtur raciste deklaratat e zëdhënësit të BE-së, si dhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel dha një paralajmërim.

“Unë nuk i kam parë ato komente apo vërejtje, kështu që do të më duhet të kontrolloj me ekipin. Por më lejoni të them vetëm se ne me siguri nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, tha Patel

E kryeministri i Kosovës në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Ura është dashur të hapej prej vitit ‘99.

Por ka thënë se janë duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e partnerëve, duke shtuar se kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim.

Kryeministri Kurti ka insistuar se Ura duhet të hapet, por pa dhënë ndonjë datë.

Ka thënë se për hapjen e saj ekzekutivi ka një plan të cilin e ka ndarë me partnerët dhe ka pasur konsulta me serbët lokalë.

“Nuk do t’i befasojmë partnerët, por edhe nuk duhet që të lejojmë që kjo çështje të zvarritet në pafundësi”, ka thënë Kurti.