LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Kosova mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen, me garanci nga partnerët

Një pikëpamje ndryshe prej institucioneve të tjera ka dhënë presidentja Vjosa Osmani, përkitazi me implementimin e marrëveshjes bazë me Serbinë. Sipas saj, Kosova mund ta zbatojë njëanshëm dokumentin, në rast se ndërkombëtarët ia ofrojnë shtetit tri garanci – atë për siguri, njohje dhe anëtarësime

Presidentja Vjosa Osmani e ka lënë të hapur mundësinë që Kosova ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, në rast se ka garanci nga ndërkombëtarët se në këmbim do të përfitojë njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. 

Megjithëkëtë, ajo ka theksuar se deri tash nuk ka pasur përgjigje konkrete lidhur me këtë qëndrim të sajin që u është përcjellë edhe ndërkombëtarëve.

“Është qëndrim vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve të tjera. E kam thënë, ka të bëjë me mënyrat të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët, edhe pse Kosova pakon e Ahtisaarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme, ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo është një situatë e re”, ka theksuar Osmani. 

Ajo ka shtuar se nuk mund t’i kërkohet vetëm Kosovës zbatimi i detyrimeve të Brukselit, derisa Serbia tërhiqet prej tyre. 

“Marrëveshja bazike, e cila është arritur në Bruksel, dhe Aneksi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia, e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja, të rrijë kinse nuk ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët e zbatojnë. Pra, në këtë rast, Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshjeje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, ka potencuar Osmani.
Presidentja e ka komentuar edhe mundësinë e procedimit të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese, duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë, pra, pa një akt të tillë, askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese. Procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën”, ka thënë ajo të premten.  
Sa i përket miratimit të një Ligji nga Serbia për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë, Osmani ka deklaruar se veprimet e tilla përbëjnë taktikë të Beogradit zyrtar për t’i destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Sipas saj, Serbia nuk ka asnjë juridiksion, as gjyqësor dhe as territorial, mbi Kosovën që nga viti 1999.

“Edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur në vitin 2008, Rezoluta 1244 ia ka marrë çdo lloj juridiksioni në atë kohë (ish-)Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake nga ‘99 deri në vitin 2008 dhe nga viti 2008 e tutje, i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë që është konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theksuar Osmani. “Tani këto janë tendenca, janë taktika për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, por njëkohësisht ajo që dëshmohet më së miri nëpërmjet këtyre veprimeve është se Serbia akoma e ka mendësinë e viteve të 90-ta, një mendësi e cila synon që t’i destabilizojë shtetet fqinje. Megjithatë realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk mund të arrijë asgjë me këtë”.

Presidentja ka thënë po ashtu se Serbia po dëshmon se nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, pasi me tentativa të tilla, po tenton që ta zgjerojë listën e njerëzve të Kosovës që i arreston dhe i bllokon në kufi.

“Nëpërmjet ligjeve të tilla tentohet që edhe më shumë të rritet numri i arrestimeve që Serbia i bën në kufi, prandaj edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që të kenë kujdes të mos kalojnë nga Serbia, sepse nëpërmjet përpjekjeve të tilla, nëpërmjet ligjeve të tilla, ata vetëm do ta rrisin listën e njerëzve që do t’i arrestojnë në kufi dhe do t’u krijojnë probleme marramendëse. Në ligjin që ata e kanë miratuar e ka një lloj togfjalëshi që thonë kushdo që kinse paska kontribuuar në shkeljen e të drejtave të pakicave dhe natyrisht në Kosovë nuk ka njerëz të tillë, megjithatë perceptimet e Serbisë dhe gënjeshtrat e Serbisë janë të tjera. Dhe ata do të tentojnë që nëpërmjet një ligji të tillë ta zgjerojnë shumë listën e njerëzve që i bllokojnë në kufi që i torturojnë në raste të caktuara edhe i marrin në pyetje pastaj i arrestojnë. Pra, për të evituar skenarë të tillë, duhet të evitohet Serbia, sepse është shtet që nëpërmjet propagandës dezinformative dhe gënjeshtrave tenton që t’u krijojë probleme qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Serbisë ka miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë. Ky veprim i shtetit serb ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve. Në Bashkimin Evropian (BE) kanë thënë se Serbia, me anë të këtij ligj, po i shkel obligimet e dala nga dialogu. Mospajtime pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). E kryeministri Albin Kurti veprimin e Serbisë e pati konsideruar armiqësor e agresiv ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.