Çështja e shujtave për ushtarët e FSK-së ka nxitur reagimin e komandantes supreme. Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur në takim komandantin Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. E partitë opozitare mblodhën nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me këtë problem
Shqetësimet e ngritura rreth furnizimit me ushqim të ushtarëve të Forcave të Sigurisë (FSK) nxitën presidenten Vjosa Osmani, të kërkojë raport të detajuar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
Pos raportit, komandantja supreme ka thirrur edhe takim me Jasharin dhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur këshilltari për media në zyrën e presidentes, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe ministrin e Mbrojtjes, z. Maqedonci”, ka thënë Kupina.
Ministri Maqedonci pati pranuar gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Siguri e Mbrojtje, se ka probleme e vonesa në furnizimin me ushqim për ushtarët.
Sipas deklaratave të Maqedoncit, kontrata për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë ende nuk është nënshkruar. Ai ka propozuar që në të ardhmen FSK-ja të ndërtojë një koncept të ri të ushqimit me qëllim që të ketë një garanci për çmim më të lirë, për vetëqëndrueshmëri dhe për siguri për këtë shërbim, pa u varur nga akterët e jashtëm.
Për këtë, grupet parlamentare opozitare mblodhën nënshkrime për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
E në një konferencë për media, deputeti i LDK-së, Anton Quni, e quajti situatën alarmante, për të cilën e fajësoi Qeverinë.
“Së fundi, u zbulua se stafi që është përgjegjës për ofrimin e ushqimit për forcat tona, kuzhinierët kanë njoftuar se nuk do të paraqiten më në punë, pas datës 11 tetor. Kjo situatë alarmante e konfirmuar nga komandant Jashari, në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është rezultat i dështimit të Qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtarët tanë”, ka thënë Quni.
E deputeti Armend Zemaj theksoi se do të kërkohet llogari nga ekzekutivi në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet të hënën.
“Kemi mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme si grupe politike opozitare për ta adresuar këtë çështje dhe për të kërkuar përgjegjësi... Ky dështim dhe qasje e Qeverisë sigurisht për interesa dhe aferat korruptive që i keni ndëgju nuk duhet të tejkalohet pa ndëshkim politik dhe moral”, ka thënë Zemaj.
Ministria e Mbrojtjes e pati quajtur komunikim të zakonshëm letrën që ia përcolli komandanti i FSK-së, e në të cilën u paralajmërua ndërprerja e aktiviteteve, shkaku i situatës. Në Ministri thanë se nuk ka mungesë të ushqimit, porse vështirësi me mungesën e stafit teknik nëpër kuzhina.