LAJMET E MBRËMJES

Osmani kërkon që më shumë ilaçe kundër kancerit të sigurohen nga buxheti i shtetit

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje që me buxhetin e vitit të ardhshëm të përfshihen të gjitha kërkesat që i ka Onkologjia për barna shtesë, me synimin që pacientëve t’u lehtësohet sa më shumë beteja me kancerin. Në ecjen tradicionale për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ajo apeloi te gratë për kontrolle të rregullta

Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe të mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje, të enjten është organizuar ecje në sheshet e Prishtinës.

Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, presidentja Vjosa Osmani u bëri apel grave për kontrolle të rregullta me qëllim të zbulimit të hershëm të sëmundjes.

Teksa në Klinikën e Onkologjisë pacientët përballen me mungesë të ilaçeve, ajo u bëri thirrje institucioneve për rritjen e numrit të barnave që mbulohen nga buxheti i shtetit.

“Këtë marshim e bëjmë me një qëllim të përbashkët për ta rritur ndërgjegjësimin, por edhe për ta mbështetur secilën dhe secilin që përballet me kancerin. Është radha që në buxhetin e ardhshëm të Republikës së Kosovës t’i miratojmë të gjitha kërkesat për barna shtesë që i ka Onkologjia, në mënyrë që sa më shumë të lehtësohet kjo betejë e pacientëve”, ka thënë Osmani.

Në marshin tradicional në kuadër të muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit, ajo ka theksuar se të gjitha gratë e prekura me kancer të gjirit e kanë mbështetjen e saj pa kushte.

“Ky marshim është një dedikim për gratë stoike të mbijetuara, por edhe shenjë kujtimi për të gjitha ato që i kemi humbur dhe mbështetjen e atyre që ende përballen me këtë sfidë”, ka thënë Osmani. “Zbulim i hershëm shpëton jetë, mos prisni, kontrollohuni dhe merrni masa. Asnjë grua nuk mundet vetëm. Secila nga to është një histori e prekur nga kanceri që tregon një forcë. Këto histori janë një dëshmi e aftësi se aspekti shpirtëror jo vetëm për të duruar, por edhe për t’i kapërcyer sfidat e jetës”.

E Nafije Latifi, drejtoreshë e qendrës kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta/Vita”, tha se teksa 450 raste të reja zbulohen në vit, nevojitet përmirësim i kushteve për pacientët.

“Sot është një ditë e veçantë për mua dhe për të gjitha që kanë qenë pjesë e kësaj nisme të përbashkët. Kemi thyer tabutë dhe heshtjen për sëmundjen e kancerit, duke u bërë forcë për ndryshim. Çdo fjalë inkurajuese, çdo donacion, çdo pjesëmarrje ka ndikuar me ndërtimin e këtij komuniteti të zëshëm”, ka thënë ajo. “Sot rreth 450 raste te reja që zbulohen në vit, dhe gra të tjera kanë fat që trajtohen nga profesionistë tanë, edhe se ka vend për më shumë përmirësim të kushteve e staf shtesë “.

Në ecje kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.