Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për zotimet që institucionet kanë dhënë pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Osmani ka thënë se detyrimet do të zbatohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Sipas saj, zotimi i dhënë për Asociacionin nuk është i këtij viti, por daton që nga ratifikimi i Marrëveshjes së vitit 2013
Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është zotim i vjetër i Kosovës dhe nuk lidhet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, të mërkurën.
Në letrën që Osmani dhe dy udhëheqësit e tjerë të lartë shtetërorë, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ia kanë përcjellë raportueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, është dhënë zotimi për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.
“Të mos harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 përmes ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, Marrëveshjen e 27 shkurtit të vitit 2023. Pra ky nuk është përkushtim i marsit të vitit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të vitit 2023 e cila është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe ajo siç e dini të gjithë përfshinë detyrimin për themelim të Asociacionit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se çdo detyrim që e ka marrë përsipër, Kosova do ta zbatojë në përputhje me Kushtetutën, ligjet e aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Ajo që është me rëndësi, që ka qenë edhe kërkesë imja, në letrën që e kemi dërguar te zonja Bakoyannis e kam përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është korniza jonë, nuk dalim assesi jashtë saj”, ka shtuar ai.
Sipas presidentes, nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj.
“Nuk është kauzë e shtetit, në kontekstin abstrakt është kauzë e qytetarëve të Kosovës të cilët mbesin të vetmit evropianë pa qasje në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut. Kështu që kushdo që është pro të drejtave të njeriut, pro sundimit të ligjit dhe pro demokracisë, si tri shtylla të Evropës, i thotë po anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka theksuar ajo.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dy vjet më parë. Aplikimi u dorëzua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, më 12 maj 2022. Që të ecet para drejt këtij procesi, javë më parë autoritetet e Kosovës zbatuan vendimin e Kushtetueses duke ia kaluar në pronësi 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
Pas votimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, të mërkurën çështja ka kaluar në Asamblenë Parlamentare, e cila pritet të mbajë mbledhje në mes të muajit prill. Nëse edhe në këtë instancë kalohet kërkesa për anëtarësim, verdiktin final e merr Këshilli i Ministrave, që do të takohet në maj të këtij viti.