Me tre vjet e dy muaj burgim efektiv është dënuar të enjten Osman Kastrati, i njohur me nofkën “Ebu Bekër”, për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.
Këtë dënim Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shqiptuar pasi që Kastrati ka bërë marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranimin e fajësisë dhe pasi që ka konfirmuar se këtë e ka bërë me vullnet të lirë.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi ka bërë të ditur se në dënimin e shqiptuar ndaj tij do të llogaritet edhe koha që ai e ka kaluar në paraburgim.
“Është fajtor për veprën penale ‘Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist’ nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj gjykata, konform dispozitave ligjore, e gjykon të njëjtin me dënim me burgim efektiv me kohëzgjatje prej tre vjetësh e dy muajsh, në të cilin do të llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim, nga data 6.11.2024 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, ka thënë Krasniqi.
Në aktakuzën e ngritur lidhur me këtë rast thuhet se Kastrati ka qenë aktiv në konfliktin e armatosur në Siri, duke iu bindur hierarkisë udhëheqëse të organizatës terroriste “Al-Nusra”. Në aktakuzë theksohet po ashtu se ai është radikalizuar nëpërmjet videove në rrjetet sociale.
“Tutje i pandehuri konfirmon kryerjen e kësaj vepre penale, duke theksuar se pasi ishte legjitimuar nga pjesëtarët e kësaj organizate, të njëjtin e kishin pajisur me armatim dhe municion, respektivisht me një automatik të tipit AK-47, si dhe tre karikatorë, dhe e kishin dërguar në pjesën e quajtur ‘Gota’ me detyrë që të bënte rojë në një vend afër Damaskut. I njëjti deklaron se kësaj organizate i ishte bashkuar pasi ishte frymëzuar nga rrjetet sociale, ku thekson se kishte parë në Youtube krimet që kryente regjimi i presidentit të Sirisë, Assad, ndaj popullatës siriane në atë kohë”, thuhet në aktakuzë.
Kastrati, sipas aktakuzës, ka qëndruar në Siri dhe në organizatën terroriste “Al-Nusra” që nga janari i vitit 2013. 36-vjeçari u është dorëzuar autoriteteve të Kosovës më 6 nëntor të vitit 2024.