Deputetë të opozitës kanë paralajmëruar se do ta kontestojnë sërish në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, në rast se nuk adresohen të gjitha vërejtjet paraprake të Gjykatës, e cila i ka rrëzuar rreth 10 nene. Në Komisionin për Administratë Publike u bënë disa amendamente të Ligjit, por me to nuk u pajtua opozita
Opozita ka paralajmëruar se Ligji për Zyrtarët Publikë mund të përfundojë sërish në Kushtetuese, nëse në lexim të dytë nuk ndryshohen nenet kontestuese.
Gjatë shqyrtimit të ndryshimeve të Ligjit, që u bë të martën në Komisionin për Administratë, deputetë të partive opozitare shprehën shqetësimin se me gjithë rrëzimin e disa neneve nga Gjykata, vërejtjet e saj nuk janë adresuar plotësisht në ligjin e ri.
“Po dëshirohet që të politizohet, me u kapë administrata shtetërore. Edhe ne do ta kontestojmë me të gjitha mundësitë e mundshme ligjore”, ka thënë Isak Shabani, deputet i PDK-së.
Në këtë linjë, kritik është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.
“Mendoj që ky projektligj në formën e tanishme është në kundërshtim me parimet e shërbimit civil. Në këtë formë ne kundërshtojmë këtë projektligj”, ka thënë Velriu.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërcënuar se nëse vërejtjet nuk do të merren në konsideratë, atëherë ligji mund të përfundojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Jam i bindur që në formën që është duke shkuar ligji, besoj që ky ligj do të përfundojë prapë në Gjykatë Kushtetuese dhe humbësi kryesor është Kosova”, ka thënë Tahiri.
Por, ligjvënës të partisë kryesore në pushtet theksuan se thanë se Ligji të cilit Kushtetuesja ia rrëzoi rreth 10 nene para 9 muajsh, është luftë kundër politizimit të administratës.
“Ky ligj me të gjitha të metat që mund t’i ketë, është përpjekje e shkëlqyer për ta depolitizuar administratën”, ka thënë Besim Muzaqi, deputet i LVV-së.
Para disa javësh, Komisioni Evropian ka ripërsëritur vërejtjet për ligjin, të cilat i ka adresuar edhe para miratimit dhe kontestimit në Kushtetuese.
Një nga vërejtjet e KE-së, të cilën e lexoi kryesuesi i Komisionit, Valon Ramadani, është që të ndryshohet neni që parasheh që pozitat në nivel të ulët, të mesëm dhe të lartë, nuk duhet të zgjasin deri në dy vjet me ushtrues detyre.
“Dhënia e lirisë së veprimit për emërimin e ushtruesit të detyrës për një periudhë dy vjeçare, do të nxiste menaxherët që të përdorin më shpesh këtë mundësi. Megjithatë, kjo nuk është një praktikë e mirë e rekomanduar nga pikëpamja e reformës së administratës publike pasi do të nxiste kapjen e administratës publike nga interesat e ngushta”, ka lexuar vërejtjen Ramadani, i cili është deputet i LVV-së.
Deputetë të partive në pushtet votuan amendamentin, në të cilin nga 2 e ulën në 1 vit kohën sa një pozitë mund të mbahet me ushtrues detyre. Por as me këtë nuk u pajtuan ligjvënësit opozitarë, të cilët insistuan që kjo kohëzgjatje të mos jetë përtej 6 muajve.