LAJMET E MBRËMJES

Opozita nuk do ta votojë buxhetin

Shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025 do të dalë para testit të votave në Kuvend të hënën. Në Vetëvendosje kanë paralajmëruar që i kanë votat e nevojshme për miratim, e partitë opozitare thonë se kanë shumë vërejtje, për çka edhe kanë paralajmëruar votë kundër

Projektligji për Buxhet për vitin 2025 është pika e parë e rendit të ditës, në seancën plenare që do të mbahet të hënën.

Njëri nga ligjet më të rëndësishme do të dalë për miratim në lexim të parë mes paralajmërimeve të opozitës për votë kundër e pretendimeve të pushtetit se ka numrat e mjaftueshëm që ta kalojë atë.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare-PDK, Ferat Shala, ka thënë se për projektligjin kanë një sërë vërejtjesh, të cilat do t’i ngrenë gjatë seancës.

“Do të marrim pjesë në seancë sepse do të insistojmë që ta diskutojmë çështjen e buxhetit dhe të ngremë shqetësimet dhe mangësitë e këtij buxheti, që ka. Sigurisht që duhet të diskutohet, edhe rendi edhe rregulli dhe normativi i legjislacionit e kërkon që ne ta debatojmë çështjen e buxhetit. Kështu si është buxheti nuk i plotëson as kriteret minimale që të jetë një buxhet me perspektivë zhvillimore dhe një buxhet që do të ndryshonte gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të vendit. Nuk do të votojmë”, ka thënë Shala.

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami ka thënë se Ligji për Buxhet do ndryshohet pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas saj, Qeverinë e ardhshme nuk do ta udhëheqë Albin Kurti e as Lëvizja Vetëvendosje.

“Ligji i buxhetit kalon me shumicë të thjeshtë. Ky është një buxhet tranzitor, pas datës së 9 shkurtit qeveria e re me kryeministër Lumir Abdixhikun do ta hartojë buxhetin nga fillimi, do të ketë rishikim të mirëfilltë për të reflektuar secilin zotim të programit ‘Rruga e Re’", ka thënë ajo.

Edhe nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka paralajmëruar votë kundër për projektligjin e buxhetit.

Një ndër arsyet që ka përmendur ajo është, siç ka thënë, diskriminimi i komunave të udhëhequra nga AAK-ja.

“Në seancë do të marrim pjesë, por nuk do të votojmë, sepse me procedura të përshpejtuara është sjellë ndoshta me afat kohor, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh kërkesat e opozitës, ndërsa janë dëmtuar gjitha komunat e Aleancës dhe të gjitha partive opozitare. Nuk po shpërndahet buxheti në mënyrë proporcionale, kanë ngel gjitha investimet kapitale, nuk e ka asnjë performancë të mirë kjo qeveri. Do të marrim pjesë gjatë shqyrtimit, do të diskutojmë për buxhetin, por në votim nuk do të marrim pjesë”, ka thënë Kadrijaj.

Deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, gjatë javës së shkuar kanë thënë se i kanë numrat e nevojshëm që ky projektligj të miratohet në lexim të parë.

3 miliardë e 608 milionë euro është projektbuxheti për vitin 2025 apo 9 për qind më i lartë se ai i sivjetmi.

Në prezantimin e projektligjit për ndarje buxhetore, kryeministri Albin Kurti pati thënë se 105 milionë euro janë ndarë për shëndetësi, e prioritet u është dhënë edhe sigurisë e mbrojtjes.

Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati, pati theksuar se buxheti i paraparë për vitin 2025 është gjithëpërfshirës.