LAJMET E MBRËMJES

Opozita në Prishtinë shkarkon kryesuesin nga radhët e LDK-së

Nga 33 asamblistë që morën pjesë në votimin e fshehtë, të gjitha votat ishin pro shkarkimit të kryesuesit Pëllumb Bajqinovci. Në votim morën pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, e kanë lëshuar sallën para se të niste votimi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, është shkarkuar të martën nga kjo pozitë.

Nga 33 asamblistë që morën pjesë në votimin e fshehtë, të gjitha votat ishin pro shkarkimit të tij.

Në votim morën pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Ndërsa, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, e kanë lëshuar sallën para se të niste votimi.

Bashkë me asamblistët nga seanca e jashtëzakonshme kanë dalë edhe Bajqinovci dhe kryetari i Komunës, Përparim Rama.

Para fillimit të votimit pati vonesa nga administrata dhe shërbimi i Kuvendit për dorëzimin e materialit për votimin e fshehur.

Bajqinovci ishte zgjedhur kryesues në një mbledhje më 27 qershor, pas shkarkimit të Fehmi Kupinës.

Para votimit, kryetari Përparim Rama akuzoi asamblistët për “rrëmbim të pushtetit”.

“Kjo është politika juaj me i ndalu projektet. Tani kur Rruga A po përfundon me kohë rekorde, ndërtimi i gjashtë shkollave dhe çerdheve. Tani kur unaza e qytetit është në proces. Këto po ndodhin kur ndërkombëtarët po besojnë... tani kur po kthehem nga Katari dhe kam marrë zotimin për projekte të reja. Ndodhemi në një pikë udhëkryqi në kryeqytet.... Kjo është tentativë për të rrëmbyer pushtetin. Po tentohet të bllokohet kryeqyteti”, ka thënë Rama.

E Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes dhe iniciues i seancës, ka thënë se largimi i Ramës është “shpërfaqja më e mirë e tij”.

“Akoma nuk kemi mbledhje të rregullta, kryesuesi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ta zhbllokojë Kuvendin. Nuk është angazhuar. Bajqinovci ka dështuar dhe nuk ka performancë të mirë”, ka thënë ai.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se situata aktuale ka ardhur “pashmangshëm nga Përparim Rama”.

“Në fjalimin e vet më herët nuk e ka respektuar as qytetarin, as veten e as partnerin. Ishte interesi publik ai që na ndau. Ishte Badovci”, ka thënë ai. “Kuvendin dhe kryeqytetin nuk do ta mbajë të bllokuar as Përparimi e as Pëllumbi”.

Prishja e koalicionit në Prishtinë u bë pasi asamblistët e PDK-së votuan për anulimin e vendimit për shkëmbim të pronave komunale me të ish-klientëve të kryetarit Rama. Paraprakisht, Rama shkarkoi disa drejtorë të PDK-së nga postet që mbanin.

Më pas, kryetari Rama ka emëruar në të gjitha drejtoritë e kryeqytetit njerëz nga partia e tij - LDK.