Bashkimi Evropian e ka cilësuar shqetësuese situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, pas kundërshtimeve të qytetarëve serbë për masën e reciprocitetit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy shteteve janë dialogu dhe negociatat.
“Të gjitha palët e përfshira duhet të qëndrojnë të qeta dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë. Mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, si dhe në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”, tha Stano.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Por drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se mbrëmë ishte afër konfliktit për shkak të veprimeve të Prishtinës, jo të Beogradit
“Mbrëmë ishim në prag të përplasjeve të rënda, dhe ju e dini çfarë do të thotë, nëse mbi 100 forca speciale ROSU të armatosura deri në dhëmbë, me autoblinda dhe topa uji, do të ishin gati për të pushtuar. Dhe plani i tyre ishte të pushtonin dhe po bëjnë llogari me popullin serb, i cili mbrojti të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe mbijetesës. Po të donim konflikte, a do të tërhiqej populli ynë? A do të kishte tërheqje të barrikadave”, tha Petkoviq.
Sipas tij, barrikadat janë e vetmja mënyrë që populli serb të vërë në dukje problemet që ka.
Gjatë së hënës, liderët e partive opozitare u ftuan nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim me krerët institucionalë për të diskutuar situatën e krijuar në veri, por takimi u bojkotua nga opozita.
Partitë opozitare në Kosovë kanë mbështetur Qeverinë për vendosjen e masës së reciprocitetit karshi Serbisë, por kanë kritikuar shtyrjen e ekzekutimit të tij.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se presidentja ka ftuar në takim partitë opozitare pas dështimin dhe papërgjegjshmërisë.
“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme. Ndërsa sot, pas dështimit, presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj. Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit”, thuhet në komunikatë.
E sipas PDK-së e AAK-së, ekzekutivi duhet të tregojë se çfarë do të ndodhë pas 1 muaji, dhe se s’duhet të ketë më kthim mbrapa.
“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë po krijon një përshtypje që veriu është i pamenaxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të dëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe të kultivohen me seriozitet”, tha Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.
“Shteti nuk është eksperiment. Shteti ka proces të vendimmarrjes, ajo duhet të jetë e analizuar mirë, që kur të merret edhe të qëndrohet. Ne e kemi shtyrë për 30 ditë, por për këtë kohë duhet të punojmë seriozisht me faktorin ndërkombëtar, me SHBA-në, që të mos ndodhë e njëjta siç ka ndodhur dje, të traumatizohen të gjithë mërgimtarët që janë duke ardhur dhe miqtë e Kosovës. Pra, për ne është e papranueshme kjo qasje”, tha Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Qytetarët serbë gjatë së dielës kanë bllokuar pikëkalimet kufitare në Bërnjak e Jarinjë, duke kundërshtuar masën e reciprocitetit, për të mos pranuar dokumentet e identifikimit e targat e lëshuara nga Serbia.
Zyrtarët policor u sulmuan edhe me armë zjarri e u maltretuan 11 qytetarë që kaluan në atë pjesë.