Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ndaj ambasadorit Martin Berishaj.
Nga Prokuroria e Shtetit shkurt kanë thënë se rasti i është deleguar Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Por, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se nuk mund as ta konfirmojë dhe as ta mohojë pretendimin se AKK-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
"Nuk mundem as ta konfirmoj dhe as ta mohoj pretendimin tuaj", ka thënë Buleshkaj.
Për këtë çështje partitë opozitare kanë kërkuar nga Ekzekutivi që ta shkarkojë Berishajn nga pozita e ambasadorit të Kroacisë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar edhe qasjen e kryeministrit e të presidentes karshi raportimeve për shpëlarje parash nga Berishaj.
“Kjo është dashur të bëhej edhe më herët, për çka ne si PDK kemi insistuar. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, ka thënë Faton Abdullahu nga PDK-ja.
Anëtarja e Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, përmes një postimi në Facebook ka thënë se duhet të ketë sqarim nga secili zyrtar publik që ka mbrojtur Berishajn.
“Shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj është domosdoshmëri. Agjencia Antikorrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni”, ka shkruar ajo.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se rasti i ambasadorit i ka lënë hije të keqe Kosovës dhe se shkarkimi është i pamjaftueshëm.
“Kallëzimi penal kundër ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci nuk është një kallëzim ordiner, por ai bëhet hiç më pak sesa nga Agjencia Antikorrupsion. Skandalet financiare të tij janë përfolur muaj më parë, por kupola e pushtetit e ka bërë ta pamundurën që ta mbrojë ambasadorin e vet. Shkarkimi i tij sot duket të jetë i pamjaftueshëm. Llogari duhet të japin edhe mbrojtësit e tij”, ka pohuar Muharrem Nitaj nga AAK-ja
Në lidhje me shkarkimin e Berishajt KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Muaj më parë u raportua për dyshimin se Berishaj i ka transferuar rreth 600 mijë euro nga një llogari bankare në Mal të Zi, në xhirollogaritë e politikanit slloven Robert Golob, tash kryeministër.
Më pas autoritetet në Mal të Zi ia patën bllokuar xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Por, ai kishte mohuar të ketë marrë pjesë në pastrimin e parave.
E, ministrja Donika Gërvalla pati thënë se nuk është konstatuar ndonjë shkelje që ka bërë ai.