Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK) do t’i shkojë presidentes Vjosa Osmani për dekretim pa 7 nene, të cilat Gjykata Kushtetuese të enjten i ka shpallur të pavlefshme, pasi që bien ndesh me aktin më të lartë juridik të vendit.
Kushtetuesja ka dhënë arsyet për secilin nen që nuk e ka kaluar filtrin.
“Eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ligjin e patën kontestuar deputetët e opozitës në dy raste të ndara, nga Partia Demokratike (PDK) dhe nga Lidhja Demokratike (LDK).
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se Gjykata i ka konfirmuar si të bazuara pretendimet se pushteti po tenton që të kapë administratën publike.
“Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës, i miratuar nga pushteti në tetor të vitit të kaluar, kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës, si dhe legjitimimin e emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme brenda saj. Jam i lumtur që si grup parlamentar kemi qëndruar në krye të detyrës për ta mbrojtur shtetin, administratën publike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve përballë tentimeve të dështuara për të shkatërruar vlerat dhe parimet e demokracisë tonë kushtetuese të ndërtuara me shumë mund dhe sakrifica”, ka thënë ai.
Edhe LDK-ja e ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses.
“Vendimi i sotëm përveç se konfirmim i shkeljeve të rënda në një ligj jetik mbi pavarësinë e administratës shtetërore dhe shërbyesve civilë, është dhe konfirmim i një praktike tashmë fenomen të shkeljeve kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. LDK-ja siguron qytetarët e vendit se si themeluese dhe bartëse e Republikës, do të vazhdojë të jetë gardiane e Kushtetutës së Republikës”, është thënë në një reagim të LDK-së.
Kushtetuesja ka njoftuar të enjten edhe për aktgjykimin lidhur me Ligjin për Investime të Qëndrueshme, për të cilin i ka dhënë të drejtë Qeverisë.
Njëjtë ka ndodhur edhe të mërkurën, kur një ligj e ka rrëzuar ndërsa një tjetër e ka kaluar. E ka rrëzuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përderisa nuk ka gjetur shkelje tek ai për Pagën Minimale.