Partitë opozitare kanë fajësuar institucionet për ndërprerjen e energjisë elektrike në disa komuna të vendit. Ditëve të fundit ka pasur ndërprerje që kanë zgjatur më shumë se 8 orë në disa komuna. Kryetari i AAK-së ka akuzuar kryeministrin Kurti, duke u shprehur se ai ka bllokuar investimet në energji dhe e ka akuzuar atë se është në krah të asaj që e quajti mafi energjetike. E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ZRRE-ja po e shkel ligjin pasi nuk po e bën mbikëqyrjen e KESCO-s
Haradinaj e quajti kryeministrin Kurti argat të Serbisë dhe e fajësoi atë se është në një kllapë me atë që e quajti mafi energjetike.
Pas pritjes që organizoi për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ai tha se Qeveria i ka ndaluar edhe investimet në energji.
"Ka arritur ta ndalë edhe gazsjellësin dhe një central me gaz, energji e pastër, në Prishtinë që mos me pasë energji. Kuptohet vonë u mor vesh pse i ka penguar këto investime për shkak se është direkt i lidhur me shitblerjet e energjisë, me përfitimet e këtyre shitblerjeve dhe fatkeqësisht e kemi gjendjen si e kemi. Pra, shkaktar kryesor është Albin Kurti. Jo vetëm që s’kemi energji, por ai do të duhej të thirrej në prokurori për dëmin që ia bën Kosovës, sepse në vend që Kosova ta ketë energjinë e saj të lirë në ato centrale, termocentrale ku megavati ka pasur me qenë 80 euro, ky e blen 1000 euro... Krimi energjetik ka emër e ai emër është Albin Kurti", ka deklaruar ai.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se institucionet kanë përgjegjësi në raport me qytetarët, derisa pushtetin e quajti avokat të kompanisë private të shpërndarjes së energjisë.
Partinë në pushtet, Vetëvendosjen, e fajësoi për mosmbajtjen e premtimit për shtetëzim të ndërmarrjes KEDS-KESCO.
"Distribucioni i energjisë elektrike në Kosovë është privatizuar në kohën kur shefja e grupit parlamentar të LVV-së ka qenë ministre dhe zëvendës ryeministre, pra vendimmarrëse dhe e përfshirë në proces; LDK-ja ka qenë në opozitë... Konstatimi se ngarkesa është për shkak të zhvillimit ekonomik është krejt i pasaktë. Raporti i konsumit amvisni me komerciale është 62% me 38%. Pyetja është ku është ZRRE-ja këto ditë? ZRRE e ka obligim sipas ligjit të monitorojë procesin dhe nëse konstaton parregullsi të merr masa sipas legjislacionit. Edhe njëherë po e përsërisë KESCO si funizues publik obligohet të siguroj furnizim të rregullt për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë edhe nga importi, pavarësisht çmimit të energjisë së importuar dhe nëse nuk bën këtë KESCO bën shkelje ligjore për të cilën gjë duhet të penalizohet", u shpreh Bajrami.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha në një përgjigje për KOHËN se shqetësimet për ndërprerjen e rrymës ekzekutivi i ka përcjellë te KEDS dhe KOSTT.
"Sa iu përket shqetësimeve në lidhje me furnizimin me energji elektrike në disa komuna të Kosovës, ne ato shqetësime i kemi përcjellë vazhdimisht tek operatorët e rrjetit transmetues dhe shpërndarës, KOSTT dhe KEDS, dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime: - Përkushtim intesiv në terren për zgjidhjen e problemeve teknike të rrjetit, si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave. - Komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët. Finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, i cili do të zgjidhë problemin e Ferizajt dhe do të ketë ndikim edhe në komunat e tjera përreth", ka deklaruar Kryeziu.
Duke iu kundërpërgjigjur komenteve të Haradinajt se Qeveria i ka bllokuar investimet në energji, Kryeziu ka përmendur disa projekte milionëshe të investimit për kapacitete të reja të energjisë.
"Viti 2024 paraqet themelet e forta të sigurisë sonë energjetike dhe të ndërtimit të kapaciteteve të reja që na bëjnë më të fortë përballë krizave të mundshme. E kemi përmbyllur me sukses ankandi i parë diellor përmes së cilit konsorciumi fitues "Orllati" do të investojë 70 milionë euro për ndërtimin e kapaciteteve të reja prej 100 MW; ka hyrë në fuqi projekti më i madh në energji në 40 vjetët e fundit - Programi Kompakt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh; e kemi hapur ankandin e parë për energji të erës me kapacitet 100 MW. Ndërkohë që përuruam bursën e përbashkët të energjisë elektrike me Shqipërinë (ALPEX) dhe filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat tona në veri, për herë të parë pas më shumë se dy dekadave".
Në përgjigjen e Qeverisë thuhet, po ashtu, se në këtë mandat është bërë edhe bursa e përbashkët e edhe fillimi i inkasimit të energjisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.