Deklarata e miratuar në të ashtuquajturin “Kuvend gjithëserb”, ku Kosova konsiderohet si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ka nxitur reagime te përfaqësuesit politikë në Kosovë. Sipas tyre, kjo deklaratë vërteton politikën hegjemoniste serbe në rajon
Vazhdimësi e politikave hegjemoniste e agresive është cilësuar në Kosovë deklarata e miratuar në “Kuvendin gjithëserb” në Beograd.
Mbledhja e së shtunës e Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, e ku në deklaratën e përbashkët Kosova u konsiderua si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, paraqet kërcënim për një ndërhyrje ushtarake në shtetin më të ri të Evropës.
“Parimi i shtrirjes në ndikim të drejtpërdrejtë në lumenjtë si ndarje territoriale të Kosovës, siç është Morava në lindje dhe Ibri në veri dhe natyrisht kërcënimi në shembullin e Azerbajxhanit që nënkupton një rikthim ushtarak në një pjesë të territorit të Kosovës është kërcënimi më serioz që mund ta kemi”, ka thënë Haziri.
Reagime për këtë ngjarje ka pasur nga të gjitha partitë opozitare në Kosovë.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku u shpreh se Kuvendi gjithëserb është tregues se politika serbe karshi Kosovës nuk ka ndryshuar.
“Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë. E tillë ka qenë para një shekulli, e tillë vazhdon sot. E njëjta mendësi! ’Kuvendi gjithëserb’ është vetëm një nga format e manifestimit të asaj mendësie, e cila vazhdon të jetë dominuese në Beograd. E detyra jonë si lidership në Kosovë është të mos biem në grackat e kësaj balte, që me shumicë prodhohet në Serbi. Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së kalon nga Uashingtoni dhe Brukseli. E nëse fqinjët tanë veriorë dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë duke u munduar t’i rikrijojnë betejat e humbura, keqardhje për ta. Të ardhmen e Kosovës e kemi në dorë ne. Bashkë me aleatë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale të dielën.
Ndërkohë, sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaratat që u miratuan në “Kuvendin gjithëserb” janë në kundërshtim me parimet evropiane për paqe e normalitet në Ballkan.
“Deklarata e të ashtuquajturit ‘Kuvendi gjithëserb’ ku përmendet që Kosova ‘është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë’, vërteton mendësinë milosheviqiane, e cila rezultoi me disa luftëra në Ballkan, gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Deklarata të tilla bien ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë Tahiri.
Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Nenad Stevandiq, i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë, të dielën, se dokumenti i miratuar nuk ka të bëjë me ndonjë “Serbi të madhe”, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në të gjitha vendet. Ai ka paralajmëruar se Republika Sërpska do ta miratojë deklaratën në fillim të korrikut.
Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën, edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Gjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe - Kosova dhe Metohija” - si referencë për shtetin e Kosovës.
Nënshkruesit e deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.