LAJMET E MBRËMJES

Opozita e quan mashtrim rritjen e pensioneve në kohë para fushate

Përfaqësueses të partive opozitare kanë thënë se rritja e pensioneve për 20 për qind në kohën e para fushatës elektorale është tentativë për blerjen e votave dhe skemë e korrupsionit publik. Sipas tyre, rritja nuk është se ndikon në mirëqenien e pensionistëve, si dhe lë jashtë rritjes kategoritë tjera sociale

Mashtrim dhe tentativë për blerje të votave e ka cilësuar opozita vendimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për rritjen e pensioneve për 20 për qind. 

Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se, vendimi ndoshta as që do të merrej po të mos ndodhte tërheqja e qeverisë nga bllokada ndaj mallrave serbe.

“Qeveria i paska rritë pensionet për hiq më shumë se 20 euro! 4 vite pritje me këtë qeveri, dyfishim i çmimeve për shumicën e produkteve bazike, dhe në fund rritje 20 euro! Ky është rezultati 4 vjeçar i kësaj qeverie në përmirësimin e jetës së pensionistit! Këta njerëz nuk kanë pikë ndjeshmërie ndaj kushteve në të cilat sot jetojnë pensionistët! Madje edhe ky vendim ndoshta nuk do të merrej, nëse Albin Kurtit nuk do ti nevojitej shpërqendrimi i vëmendjes nga vendimi për lejimin e hyrjes së mallrave serbe! Koha për pensione e paga të dinjitetshme po vjen me Kryeministrin Bedri Hamza! Nuk ka rrugë tjetër!”, ka shkruar Mustafa. 

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja e pagave e pensioneve në kohë fushate elektorale, është tentativë për të blerë vota dhe skemë e korrupsionit publik.

“Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t'i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje. Rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftueshme sepse vetëm norma e inflacionit që ka ndodhë gjatë qeverisë Kurti është 22%”, ka shkruar Bajrami. 

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar se rritja e pensioneve nga Qeveria, sipas tij në ikje, është mashtrim. 

“Ky mashtrim shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve që shkon përtej humanizmit sepse ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët. Përveç që është mashtruese, kjo rritje është gjysmake dhe duke marrë parasysh bazën e ulët të pensioneve, as nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve por edhe lë jashtë kategori tjera sociale”, është shprehur Haradinaj. “Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50% dhe pastaj çdo vit rritje prej 10%. Të gjitha skemat pensionale do të jenë më shumë se paga minimale prej € 500”.  

Kryeministri Albin Kurti njoftoi të hënën se nga ky muaj do të rriten për 20 për qind pensionet për disa kategori të pensionistëve.