Shembull të keq për qytetarët e konsiderojnë opozitarët mosparaqitjen e kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.
Me arsyetimin se ndodhet jashtë shtetit, Kurti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë derisa ka propozuar që prokurorët të jenë ata që i shkojnë në zyrë për ta intervistuar.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, tha të hënën se një veprim i tillë është mesazh i keq nga Kurti për mënyrën se si trajtohet Prokuroria.
“Në këtë rast gjithkush duhet ta kryejë punën e vet, organi i akuzës është pikërisht për të mos lejuar që të ndodhin keqpërdorime dhe për të luftuar dukuritë negative. Kryeministri është për të zhvilluar vendin, për ta qeverisur vendin. Janë dy institucione të ndara, në këtë rast organi i akuzës me siguri ka diçka që i duhet kryeministri qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në cilësinë e të dyshuarit… Është mesazh shumë i keq dhe shembull shumë i keq për qytetarët”, ka thënë Tahiri, në një deklarim për media, pas mbledhjes së Kryesisë.
E shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, theksoi se me veprime të tilla Kurti dërgon mesazh te qytetarët se mund të anashkalohen Gjykata e Prokuroria. Ftesën e Kurtit për ta intervistuar në zyrë e konsideron të gabuar.
“Hala më keq, hala më keq, se thirret prokurori dhe epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, në këtë rast mbi Prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin e vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij për drejtësinë”, ka thanë Gashi.
Kritika për mosparaqitjen e kryeministrit Kurti pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“As zotëri Albin Kurti nuk është mbi ligjin, dhe vetë deklaratat e tyre se po ftohet në kohë të zgjedhjeve kryeministri Albin Kurti që të paraqitet për të dëshmuar, nuk qëndrojnë, sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga Gjykata Speciale për shkak të gazit lotsjellës dhe ju kemi përgjigjur, sepse duhet t’i respektojmë organet e drejtësisë”, ka thënë ajo.
Ftesa për t`u intervistuar, sipas zyrtarëve qeveritarë, kryeministrit Kurti i është dorëzuar më 11 dhjetor.
Kurti ditëve të fundit ka qenë për vizitë në Kroaci dhe Slloveni. Prokuroria e ka mirëkuptuar mungesën e tij.