LAJMET E MBRËMJES

Opozita e dënon sulmin terrorist në veri, kërkon presion ndërkombëtar mbi Serbinë

Edhe përfaqësuesit e partive kryesore opozitare kanë dënuar sulmin terrorist në veri. Ato kanë mbështetur veprimet e institucioneve dhe u kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë e të ndihmojnë në zbulimin e njerëzve që qëndrojnë pas aktit terrorist.

Partitë opozitare në Kosovë kanë dënuar sulmin terrorist në veri, i kryer mbi infrastrukturën kritike.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se sulmi është i organizuar kundër Kosovës dhe kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shtetërore.

“Ky sulm kërkon hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të. Kërkon mobilizim të të gjitha organeve të sigurisë dhe të drejtësisë të vendit tonë, që krahas sigurimit të infrastrukturës kritike, ta zbardhin sa më parë rastin dhe t’u japin përgjigje pyetjeve të shumta të cilat sot shqetësojnë secilin qytetar të vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.

Edhe LDK-ja nëpërmjet një komunikate ka dënuar sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit dhe dy sulmet paraprake me bomba ndaj institucioneve në veriun e banuar kryesisht me serbë.

“Këto akte terroriste janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në vendin tonë… LDK-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve tanë dhe qëndron fuqishëm krah institucioneve shtetërore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin dhe rendin në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart institucionet e sigurisë dhe emergjencave për reagimin e shpejtë në vendosjen nën kontroll të situatës në veri. 

Edhe ai ka kërkuar që përgjegjësit ta marrin përgjigjen e merituar.

“Qëndrojmë afër dhe të vendosur si kurrë më parë në mbështetje të Policisë, AKI-së, zjarrfikësve dhe tërë asaj armate të emergjencave që po e bëjnë këtë punë. Sulmi i mbrëmshëm me përmasa terroriste ndaj infrastrukturës së ujit në veri, shënon aktin më barbar kundër Kosovës në krejt periudhën e pasluftës dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Por, menjëherë pas sulmit, Haradinaj shprehu qëndrimin se sulmet e fundit në veri, janë pasojë e politikës, siç e quajti ai, të gabuar të Qeverisë dhe Vetëvendosjes në këtë pjesë të Kosovës.

Në reagimet e tyre, subjektet politike opozitare u kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë dhe të ndihmojnë në zbulimin e njerëzve që qëndrojnë pas aktit terrorist.