LAJMET E MBRËMJES

Opozita dhe SBASHK-u kundër shkallës së rritjes së pagave

Ka nxitur reagime vendimi i Qeverisë për rritje të pagave. Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, me këtë vendim pushteti tenton t’i mbulojë dështimet në ekonomi para zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt. E, në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thanë se rritja e deklaruar është e pamjaftueshme për mësimdhënësit

Vendimi i Qeverisë për rritje të pagave në sektorin publik nga muaji janar ka nxitur reagime e pakënaqësi te opozita dhe sindikatat.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, tha se rritja prej 55 eurosh në janar është tentim për të mbuluar dështimet në ekonomi.

“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare, i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar.Ndërkaq në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe ministër financash, në pak muaj kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89%, pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore”, thuhet në reagimin e Tahirit. “Në të njëjtën kohë, pa marrë asnjë cent borxh, kemi ndërtuar dy autostrada që kanë transformuar vendin, kemi sjellë investitorë të mëdhenj në Aeroport dhe energjetikë dhe kemi zvogëluar papunësinë për 30%. Këto nuk janë statistika propagandistike. Të gjithë qytetarët i mbajnë në mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza, në qeveritë e udhëhequra nga kryeministri Thaçi”.

Pas kumtimit të vendimit nga Qeveria, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, dha një premtim elektoral. 

“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen”, ka shkruar ai në Facebook.

E bashkëpartiaku i tij dhe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, vendimin e Qeverisë e vlerësoi gjysmak.

“Ndryshimi për gjysmë koeficienti në pagat e sektorit publik përfaqëson më së miri modelin e qeverisjes Kurti. Gjithçka gjysmë, asnjë vendim i plotë, asnjë veprim i plotë, asnjë masë e plotë, asnjë reformë e plotë – asgjë e plotë. Një qeverisje gjysmake, nga qeveritarë gjysmakë, siç është edhe ky koeficient gjysmak për pagat në sektorin publik”, ka theksuar Gashi

Të pakënaqur me vlerën e rritjes së pagave janë deklaruar edhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.

Në një reagim të Sindikatës theksohet se ajo është e papranueshme.

“Ne ishim angazhuar që me shkresa e dialog të kërkojmë nga qeveria që vlera e koeficientit të pagave të shtohet për së paku 30 %, por Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati në mënyrë të njëanshme dolën para medieve dhe pa as edhe një konsultim me sindikatat deklaruan se do të bëjnë një lëvizje, jo në vlerën e koeficienteve, por në vet koeficientet duke premtuar një lëvizje në janar prej 0.5 të njësisë, që përkthyer në vlerë monetare i bie një rritje prej 55 euro bruto, që është irrituese dhe e papranueshme sepse nuk ka as edhe një ndikim në forcën blerëse të pagave kur dihet se çmimet kanë shënuar rritje të mëdha gjatë gjithë vitit”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate. “Ky veprim i Kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati kanë shtuar pakënaqësitë te anëtarësia e SBASHK-ut dhe ne jemi në pritje të ardhjes në selinë e SBASHK-ut të deklarimeve të anëtarësisë se cilat do të jenë veprimet e radhës dhe i premtojmë anëtarësisë se do të vazhdojmë me angazhimet për t’i zgjedhur çështjet me dialog, por do të respektojmë edhe tani, si gjithmonë, vullnetin tuaj anëtare e anëtarë të nderuar të SBASHK-ut”.

Të pakënaqur me propozimin për rritje të pagave janë shprehur edhe nga Sindikata e Policisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave. SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë. Duke u nisur nga këta faktorë, SPK-ja kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientesh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Sindikatës së Policisë. 

Një rritje e dytë e pagave për 55 euro është paralajmëruar edhe për verën e ardhshme, ani se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt të 2025-tës.