LAJMET E MBRËMJES

Nxënësit thonë se shkollat nuk ofrojnë kushte për zhvillim dhe siguri

Në konferencën e Këshillit Rinor Kosovar është thënë se shkollat nuk ofrojnë ambient e as sistem mjaftueshëm të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të nxënësve dhe stafit arsimor. E, përfaqësuesi i nxënësve në Mitrovicën e Veriut ka thënë se komuniteteve nuk u ofrohen kushte për shkollim në Kosovë

Nxënësit thonë se hapësirat e institucioneve arsimore nuk ofrojnë ambient e as sistem mjaftueshëm të sigurt për zhvillim të qëndrueshëm.

Në konferencën e Këshillit Rinor Kosovar me temën “Nxënësit, paqja dhe siguria”, të hënën, është thënë se filloristët e as gjimnazistët nuk ndihen të sigurt në shkollë. 

Sipas Sara Çeshkos, e cila vitin e kaluar ishte kryetare e nxënësve të Prishtinës, ka shumë arsye pse ata nuk ndihen të sigurt. 

“Siç e dimë, shumë nxënës nuk ndihen të sigurt në shkolla. Fatkeqësisht kjo ndodh për shumë arsye dhe kryesisht, siç e përmenda më herët, është dhuna fizike dhe verbale, shumë nxënës kanë frikë të shkojnë në shkolla, edhe kur shkojnë shumë prej tyre nuk munden me folë me arsimtarë e mësimdhënës të tyre dhe anashkalohen gjatë bisedës që kanë rreth dhunës fizike dhe verbale”, ka thënë Çeshko.

Profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Kaltrina Kelmendi, ka theksuar se për të ofruar ambiente më të sigurta nxënësit duhet të përfshihen në procesin e vendimmarrjes. 

“Ideja e pjesëmarrësve të nxënësve në vendimmarrjen e shkollës është konsideruar si faktorë mbrojtës sa i përket viktimizimit. Një faktor tjetër shumë i rendësishëm ka qenë përkrahja që e marrin nxënësit prej mësimdhënësve, që për ne ka qenë indikacion nëse punohet me mësimdhënës në krijimin e raportit të marrëdhënieve bashkëpunuese, mësimdhënësit do të mund të ndikonin në parandalim dhe ndalim”, ka thënë Kelmendi.

E, përfaqësuesi i nxënësve në Mitrovicën e Veriut, Anes Demiroviq, ka deklaruar se atij dhe kohanikëve të tij nuk u ofrohen kushte për shkollim në Kosovë.

“Fatkeqësisht, ne nuk mund të flasim për paqe dhe siguri në shkollimin e mesëm dhe në tjera segmente të shoqërisë, kur të rinjtë prej komuniteteve nuk qëndrojnë këtu. Mendoj që kjo është evidente që të rinjtë veçanërisht prej komuniteteve që janë duke u shpërngulur, studentët që nuk studiojnë këtu do të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, në shtete perëndimore dhe do të gjejnë mundësi që këtu nuk u ofrohet dhe ata nuk do të kthehen”, ka thënë Demiroviq.

Në Ministri të Arsimit pranuan se institucionet edukativo-arsimore nuk fokusohen tek ndërtimi i aseteve të nxënësve që nxisin ndërtimin e qëndrueshmërisë, vlerave demokratike e barazinë

“Unë e di që të gjitha shkollat, ndoshta në aspektin e sigurisë nuk është në atë nivelin e kënaqshëm që kishte dashtë me qenë, por megjithatë ne si Ministri po e bëmë të pamundurën që kjo të jetë më mirë, për këtë ka masa të ndryshme që merremi ne si ministri duke filluar në aspektin e sigurisë, barazisë gjinore”, është shprehur Arsim Ademi, zëvendësministër i Arsimit.

Sipas raportit të OSBE-së për sigurinë në shkollat e Prishtinës, rreth 23.5 për qind e nxënësve kanë deklaruar se nuk ndihen aq të sigurt në shkollat e tyre.

Nga fillimi i vitit, nga nxënës janë konfiskuar 10 armë zjarri dhe 51 armë të ftohta, ndërsa janë regjistruar 369 incidente afër shkollave.