Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka vazhduar masën e paraburgimit, edhe për dy muaj ish-nënkryetarit të Skënderajt dhe ish-deputetit të PDK-së, Nuredin Lushtakut, dhe dy vëllezërve të tij, të cilët dyshohen se kanë sulmuar zyrtarë policorë. Avokatët mbrojtës të të dyshuarve e kanë kualifikuar arbitrar vendimin
Nuredin Lushtaku, Faton e Arif Lushtaku do të vazhdojnë të jenë nën masën e paraburgimit edhe për dy muajt e ardhshëm, ka vendosur të mërkurën Gjykata Themelore në Mitrovicë, pas kërkesës së Prokurorisë.
Nusret Hoxha, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka konfirmuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Lushtakët.
“Ka pasur kërkesë nga Prokuroria edhe është caktuar masa e paraburgimit 2 muaj prej ditës së djeshme”, ka thënë ai.
Tre vëllezërit Lushtaku dyshohen për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar e armëmbajtje pa leje”.
Por, me këtë masë të sigurisë nuk pajtohet avokati mbrojtës i ish-nënkryetarit të Komunës së Skënderajt, Nuredin Lushtakut.
Artan Qerkini, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se ky vendim është arbitrar dhe se është në kundërshtim me vendimin fillestar.
“Gjatë muajit korrik derisa z. Lushtaku ishte në paraburgim, dy dëshmitarët ishin dëgjuar e po ashtu janë ridëgjuar edhe policët të cilët kanë qenë prezentë në kohën e ndodhjes së incidentit. Nisur nga faktet si më lart, konsideroj se vazhdimi i paraburgimit është arbitrar dhe në kundërshtim me vendimin fillestar, sepse arsyet e caktimit të paraburgimit në momentin kur janë dëgjuar dëshmitarët kanë pushuar të ekzistojnë” është shprehur Qerkini.
Ky avokat ka thënë se njoftimin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka parë në media.
“Me sa jam njoftuar nga mediat, edhe pse ende nga gjykata nuk kam pranuar kurrfarë vendimi, z. Lushtaku i është vazhduar paraburgimi. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se paraburgimi nuk duhet të shndërrohet në dënim për të dyshuarin, por se paraburgimi është masë e përkohshme, e cila caktohet për arritjen e qëllimeve procedurale”, ka thënë ai.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë në Mitrovicë, tre vëllezërit Lushtaku kishin sulmuar dy zyrtarë policorë, pasi i ishte shqiptuar një gjobë djalit të Nuredin Lushtakut.
Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.
Gjatë përleshjes mes të pandehurve dhe të dëmtuarve është shkrepur edhe një armë, me të cilën është plagosur polici Mërgim Geci, por që nuk dihet e kujt ka qenë dhe kush e ka shkrepur.
Ish-deputeti i PDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Skënderajt, Nuredin Lushtaku, e kishte quajtur këtë ngjarje si rast të montuar ndaj tij, nën supozimin se me policin Enver Berisha kishin pasur raporte jo të mira edhe në të kaluarën.