LAJMET E MBRËMJES

Numërimi i votave për kandidatë zhvillohet në 18 komuna

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka nisur të mërkurën edhe në 14 komuna. Në 20 komuna të tjera, ky proces ende nuk ka nisur. Tek e kanë justifikuar vonesën me ndërlikueshmërinë e procesit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se para shpejtësisë së shpalljes së rezultateve, rëndësi ka saktësia e procesit

Tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nuk ka nisur ende në 20 komuna.

Krahas Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit e Parteshit, ku numërimi ka nisur një ditë më parë, të mërkurën ky proces ka filluar edhe në 14 komuna të tjera.

“Gjatë ditës së sotme, e mërkurë, në orën 16:00 është planifikuar të fillojë procesi i numërimit në qendrat komunale të numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00 ka filluar numërimi në Hanin e Elezit”, ka theksuar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Ai e ka justifikuar vonesën në nisjen e numërimit të votave me zhvillimin për herë të parë të këtij procesi në qendrat komunale të numërimit, e të cilin e quajti të ndërlikuar.

“Funksionalizimi i qendrave të numërimit është mjaft kompleks, duke pasur parasysh qindra aktivitete, të cilat duhet të zhvillohen këtu para se të bëhet gati një qendër komunale e numërimit për të filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimit të votave të subjekteve politike”, ka deklaruar Elezi.

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, sipas rregullores së KQZ-së për qendrat komunale të numërimit, është dashur të nisë qysh në orën 8 të mëngjesit të parë pas zgjedhjeve.

E sipas Elezit, me rëndësi është saktësia e rezultatit, për çka tha se është duke u punuar në tejkalimin e problemeve që e kanë përcjellë procesin e publikimit të tyre.

“Ajo çka është me rëndësi për KQZ-në nuk është vetëm shpejtësia për të dalë me rezultate përfundimtare, por saktësia, do të thotë që çdo votë të evidentohet me saktësi dhe që vullneti i votuesve të evidentohet”, është shprehur Elezi.

Deri në mesditën e së mërkurës, KQZ-ja ka procesuar në platformën e saj online 99.57 për qind të rezultateve. Bazuar në këto rezultate, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me mbi 40.8 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 22.03 për qind, LDK-ja me 17.61 për qind e AAK-ja me 7.46 për qind të votave.