Qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës i dolën në krah Listës Serbe, e bojkotuan procesin për largimin apo jo të kryetarëve. Në Zveçan, deri pasdite për të votuar nuk doli asnjë votues, derisa numër simbolik i tyre u shënua në qendrat e tjera.
Qendrave të votimit në katër komunat në veri, të dielën, iu munguan votuesit.
Procesi i votimit për largimin apo jo të kryetarëve, ashtu siç është paralajmëruar, është karakterizuar me dalje të ulët të votuesve.
Në 23 qendrat e votimit rrallë herë që shihej ndonjë qytetar i interesuar për të votuar, e një gjë e tillë është pasqyruar edhe nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nga mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat, në pasdite shifrat e daljes së tyre mezi kaluan numrin 200.
Fare të interesuar për të votuar nuk pati në Zveçan.
Votimi në këtë komunë është organizuar në objektin komunal, në të cilin që nga zgjedhja nuk ka shkelur kryetari Ilir Peci.
Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e vëzhguesit kanë qenë ata që kanë mbushur 23 hapësirat e vëna në dispozicion për të votuar.
Kutitë e votimit, në pothuajse secilin vendvotim ishin të zbrazëta. Njëlloj ishte edhe në qendrën në Banjskë të Zveçanit.
Në fshatin, që shtatë muaj më parë u vra rreshteri Afrim Bunjaku, deri pasdite nuk pati asnjë të interesuar për të votuar.
Numër simbolik i qytetarëve, shqiptarë e boshnjakë, votuan në Mitrovicë të Veriut.
Salla në të cilën një vit më parë Erden Atiq u betua si kryetar i Mitrovicës së Veriut, të dielën ishte shndërruar në vendvotim për qytetarët e kësaj komune, të cilët patën mundësinë që të vendosin nëse duan apo jo që Atiq të vazhdojë punën. Por, interesimi për të marrë pjesë në këtë proces ishte i ulët.
Mospjesëmarrja e qytetarëve në votim, sipas atyre që përcollën këtë proces, konfirmon bojkotin e paralajmëruar.
“Vetëm gjashtë kanë dalë, etniteti kryesisht shqiptarë, pak të interesuar ka nga etnitë tjera. Për momentin, duke marrë parasysh se në këtë qendër janë 1740 votues, dhe duke pasur parasysh herët e kaluara, mund të themi se po ndodh bojkot. Nuk presim të ketë shumë ndryshime. Mund të ketë pak, por jo shumë ndryshim”, ka thënë Gentrit Rushiti, komisionet në Mitrovicën e Veriut.
Afër secilës qendër të votimit u panë zyrtarë të Policisë së Kosovës. Sipas zv.drejtorit Veton Elshani, gjatë ditës nuk është shënuar asnjë incident.
“Ne kemi një numër minimal të policëve të përdorur për qendrat e votimit. Nëpër rrugët e veriut është ai numri që ka qenë zakonisht, mirëpo kemi numër të mjaftueshëm të policëve në rast se do të vinte deri të ndonjë prishje e rendit ose e qetësisë publike ose te ndonjë destabilizim. Deri më tani nuk kemi as informacione se një gjë e tillë do të ndodhë”, ka thënë Veton Elshanim zv.drejtor i Policisë në veri.
Karakteristikë e këtij procesi, mes të tjerash, ishte vëzhgimi me kamera. Ato janë hasur në secilin vendvotim në Mitrovicë të Veriut e në Zveçan.
Si rrjedhojë e xhirimit, për dallim nga proceset e tjera zgjedhore, kabinat e votimit ishin të vendosura në anën e kundërt.
Me pjesëmarrjen e qytetarëve në ditën e votimit, procesi për largimin apo jo të kryetarëve konsiderohet i dështuar. Në mënyrë që ai të kishte sukses, për njërën nga opsionet do të duhej të votonin 50 për qind, plus një votues.