LAJMET E MBRËMJES

Nuk përjashtohet rritja e çmimit të energjisë elektrike

Si shkak i motit të mirë, çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka pësuar rënie, por ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka përjashtuar mundësinë e ngritjes së këtij çmimi kur temperaturat do të bien.

Këtë e tha gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

“Gjatë muajve të verës disa njësi të termocentralit kanë qenë remont. Pas kësaj është marr vendimi për shpalljen emergjente me rrymën. Duke qenë se situata nuk pritet të stabilizohet, mirëpo pritet që të vështirësohet gjatë muajve të dimrit, duke qenë se bien temperaturat e konsumi të rritet, me gjithë gjatë dy javëve te fundit kemi parë një ulje të çmimit në tregun evropian, por kjo do të jetë e përkohshme”, tha Rizvanolli.

Me këtë rast, Rizvanolli ka arsyetuar propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

“Peleti që ka qenë duke eksportuar tani shitet në Kosovë. Iu lus të miratoni masa emergjente edhe për 30 ditë ligjin për energji. Sasia që prodhohet është e konsiderueshme. Dhe kjo mund të bëhet përmes aprovimit të ligjit për masat ndërhyrje në treg që të vendoset çmim tavan. Importi do të vazhdojë në masën që është e mundur”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli më tutje bëri të ditur se aktualisht janë në funksion dy njësi të termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”. Derisa shtoi se Qeveria ka ndarë 6 milion euro për tejkalim të krizës energjetike.

Në Komision është miratuar vendimi i Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në energji, pa votat e opozitës.

Këtë të martë anëtarët e komisionit miratuan gjithashtu edhe Projektligjin me amendamente për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.