Për ta lokalizuar zjarrin, në terren kanë dalë edhe zjarrfikësit nga komunat fqinje. Dëmi në bizneset tjera afër është evituar, e pronari i qendrës së djegur ka thënë se dëmi i shkaktuar nga zjarri është milionësh
Zjarri që ka kapluar një qendër tregtare, e cila është më e madhja në Suharekë, është lokalizuar të dielën në mesditë pas disa orësh punë të zjarrfikësve edhe të komunave të tjera.
Ekipet e emergjencave kanë njoftuar se zjarri e ka përfshirë atë rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe ka pasur rrezik edhe për biznese të tjera në afërsi.
Vehbi Krasniqi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Suharekë, ka treguar se për t’u lokalizuar zjarri, krahas zjarrfikësve të Suharekës, kanë intervenuar si punëtorët e kompanive afër me objektin, ashtu edhe zjarrfikësit e komunave të tjera.
“Ekipi i zjarrfikësve është alarmuar menjëherë dhe ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar që zjarri ka qenë i përmasave të mëdha dhe menjëherë kemi kërkuar ndihmë qendrës së alarmimit, 112-shit dhe shfrytëzoi rastin që t’i falënderoj komunat fqinje, Rahovecin, Malishevën, Mamushën, por edhe ekipin zjarrfikës të Red Eagle-it”, ka thënë Krasniqi.
Enver Shabani, drejtor i Emergjencave në Komunën e Suharekës, ka thënë se nga kjo fatkeqësi nuk ka pasoja në njerëz.
“Sigurisht se zjarrfikësit nuk kanë më arsye të jenë më brenda objektit, tanimë zjarri është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për shpërthim ose zgjerim të zjarrit, zjarri tanimë është i lokalizuar dhe natyrisht, detyra e zjarrfikësve është që deri në shuarjen e vatrës së fundit të zjarrit...dhe natyrisht ata do ta monitorojnë situatën deri në fund”, ka thënë ai.
E pronari i qendrës që u djeg - ETC, Ramiz Kelmendi, ka thënë se dëmi është i konsiderueshëm.
“Të nderuar kolegë; sot, e diel 19.01.2025 në orët e hershme të mëngjesit (sikurse edhe herëve tjera), filloi zjarri në ETC Suharekë dhe atë duke filluar nga Depo (sikur në të tri rastet). Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme (mbi 3 milionë), ku sipërfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katrorë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Kelmendi ka kërkuar nga hetuesia që ta ndriçojë këtë rast, sepse siç ka thënë, duhen hequr dilemat se a ka qenë zjarri i qëllimshëm apo i paqëllimshëm.
Policia ka njoftuar se ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, por kanë thënë se ende është herët të dihet si çka e ka shkaktuar atë.
Kësaj kompanie i ishte përfshirë nga zjarri edhe një qendër në Pejë dy vjet më parë.