Sami Halimi pretendon se është larguar padrejtësisht nga puna. Ai thotë se vendimi ndaj tij u mor pasi refuzoi të nënshkruante kontratën e re 3-vjeçare, pasi deri tash kishte kontrata të tjera, që ishin me afat të pacaktuar. Mirëpo në ndërmarrjen publike “Trainkos” thonë se me sistematizimin e ndërmarrjes, Halimit i është shuar pozita e punës, prandaj është krijuar kontrata e re
Sami Halimi, i cili ishte pjesë e ndërmarrjes publike “Trainkos” për 42 vjet, pretendon se është larguar padrejtësisht nga vendi i tij i punës.
Ai ka thënë se vendimi është marrë pasi nuk pranoi të nënshkruante kontratën e re 3-vjeçare, me arsyetimin që kontrata nuk është në afat të pacaktuar.
“Unë i kam pasur kontratat dhe tani i kam 5 kontrata me afat të pacaktuar. Me ardhjen e këtij bordi në këtë pozitë, më është ofruar kontrata 3 vjeçare, kjo përbën shkeljen e parë. Në shkeljen e dytë më është ndërruar vendi i punës, sepse unë gjithmonë kam qenë punëtor i sigurimit në tren, është fjala për paslufte, që 24 vjet... Në shkeljen e dytë më kanë zhvendosur si punëtor të aseteve”, ka thënë ai.
Për shumë vjet, ai thotë se ka punuar edhe para luftës.
Halimi ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë vërejtje për punën e tij dhe se nuk i di arsyet e këtyre ndryshimeve.
Në “Trainkos” kanë thënë se disa punonjës po krijojnë alibi të paqena dhe po e fajëson ndërmarrjen për shkak të humbjes së disa benefiteve.
“Trainkos është e vetëdijshme që niveli i pagave nuk është i kënaqshëm, kushtet financiare dhe jo vetëm kanë detyruar ndërmarrjen që të hyjë në ristrukturim e sistematizim të vendeve të punës. Me këtë rast disa punonjës kanë humbur disa beneficione dhe siç duket nuk e shohin të leverdishme që ta nënshkruajnë kontratën e punës, ndërsa krijojnë alibi të paqena për ta fajësuar ndërmarrjen dhe për ta arsyetuar vendimin e tyre për mosvazhdimin e marrëdhënies së punës”, thuhet në përgjigjen e Trainkos.
Në përgjigje thuhet se me sistematizimin e ndërmarrjes, Halimit i është shuar pozita e punës, prandaj është krijuar kontrata e re.
Po ashtu ka njoftuar se ai është larguar nga puna, pasi nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë të re.
“Duke pasur parasysh që mosnënshkrimi i kontratës është shkelje e obligimeve ligjore dhe detyrimeve të punës, duke u bazuar në detyrimet e Ligjit të Punës nr.03/L212, shkelja e detyrave të punës përmes refuzimit edhe të lidhjes së marrëdhënies së punës si akt ligjor i detyrueshëm i palëve që rregullohet me ligj dhe akte të tjera të brendshme, ashtu siç parashihet dhe me ligjet e tjera në fuqi, detyron vendimmarrjen e punëdhënësit që të marrë vendim në këto situata, andaj në përputhje me pikën 4 të nenit 35 të Rregullores dhe Marrëdhënies së Punës dhe Procedurës Disiplinore nr.I/126 të datës 29.08.2024, punëtorit i ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në përgjigje.
Juristi Anton Ndrecaj thotë se ndryshimi i kontratës së punës nga afati i pacaktuar në atë të caktuar bëhet duke u bazuar në argumente ligjore.
“Ndërprerja e kontratës nga afat i pacaktuar në afat të caktuar duhet të ketë bazë juridike dhe një argument ligjor. Në raste specifike kjo mund të ndodhë, por duhet të ketë një vendim të caktuar pse ka ndodhur”, ka thënë ai.
Ndërkohë Halimi ka paralajmëruar se do të ngrejë padi ndaj “Trainkosit” për rastin në fjalë.